Vendosni fjalën kyçe....

Vjedhja në banesën e marrë me qira nga dy të huaja në Vlorë, arrestohen tre autorët e dyshuar


Policia e Vlorës në bashkëpunim me prokurorinë e qytetit kanë zbardhur vjedhjen e ndodhur më 6 dhjetor 2024 në banesën e marrë me qira nga dy shtetase të huaja.

Policia ka arrestuar  dy autorët e dyshuar shtetasit Altin Toto dhe Klajdi Bani (i dënuar për vrasje në shtetin Grek).

Në prangat e policisë u vu edhe 33-vjeçari Orland Plepi, që ndihmoi autorët e dyshuar të largoheshin nga qyteti i Vlorës me qëllim fshehjen nga kontrollet e Policisë.

Gjatë operacionit u sekuestruan një send pistoletë lodër, veshje dhe një automjet tip “Range Rover”, të përdorura nga autorët gjatë kryerjes së krimit, një shumë parash prej 440 euro dhe dokumenti i udhëtimit të vjedhur prej tyre, një automjet tjetër tip “Audi”, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis dhe 7 aparate celulare.

Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Vlorë, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2024, ku u shpallën në kërkim dy autorët e dyshuar për vjedhjen e një shume prej 500 eurosh, një aparati celular Samsung dhe një dokumenti udhëtimi, në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase të huaja (njëra kolumbiane dhe tjetra venezueliane), kanë vijuar veprimet e thelluara dhe intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, me qëllim dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj ngjarjeje, lokalizimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të vjedhjes dhe çdo personi tjetër të përfshirë.

Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Breaking”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
Altin Toto, 39 vjeç, banues në Vlorë;
Klajdi Bani, 41 vjeç (i dënuar për vrasje në shtetin grek) banues në Vlorë;
Orland Plepi, 33 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasit Altin Toto dhe Klajdi Bani, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se më datë 06.12.2024 kanë hyrë me forcë në banesën e marrë me qira, në lagjen “1Maji”, nga dy shtetase të huaja dhe, nën kërcënimin e një sendi pistoletë lodër, u kanë vjedhur një shumë prej 500 eurosh, një aparati celular Samsung dhe një dokument udhëtimi.

Dy autorët dyshohet se janë ndihmuar më pas, nga shtetasi Orland Plepi për t’u larguar nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës me një automjet tip “Audi”, me qëllim fshehjen nga kontrollet e Policisë. Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Orland Plepi, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.