Gjatë vitit 2023, inflacioni mesatar ishte 4.7%, por për disa produkte bujqësore që janë baza e shportës rritja e çmimeve ishte 3-9 herë më i lartë se inflacioni.
Të dhëna e përditësuara së fundmi nga INSTAT që i takojnë ndryshimit të çmimeve në produktet bujqësore tregojnë se vitin e kaluar çmimi i qumështit u rrit në intervalet 18- 43 për qind, në krahasim me vitin 2022.
Rritja në këto nivele e çmimit të qumështit, një artikull bazë në shportën e konsumit dhe e rekomanduar çdo ditë për dieta e fëmijëve dhe të rriturve, ishte deri 9 herë më shumë se ndryshimi i përgjithshëm i çmimeve.
Pas qumështit, rrushi kishte gjithashtu rritjen më të lartë vjetore të çmimit me 2022 me rreth 36.2% i ndjekur nga mishi i shpendëve që u rrit me 28 %, agrumet me 26% dhe ullinjtë me 23.8 %.
Në total çmimet e prodhimeve bujqësore u rriten me 14.1 për qind gjatë vitit të kaluar ose rreth 3 herë më shumë se inflacioni.
Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm ulje të çmimi kishin vetëm drithërat me 17% vitin e kaluar, duke reflektuar rënien pas çmimeve të larta që krijoi lufta në Ukrainë më 2022.
Frutat dhe perimet janë një sektor i rëndësishëm i prodhimit bujqësor në Shqipëri. Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth 20% e shportës së konsumit për qytetarët shqiptarë është e fokusuar tek frutat dhe perimet duke e bërë atë një pjesë të rëndësishme të së përditshmes në konsumin e çdo familjeje.
Çmimet e frutave dhe perimeve u rriten gjithashtu me mbi 10%. Perimet dhe frutat përbëjnë një nga nën sektorët më produktivë dhe më të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare, me mundësi të mira për rritjen e brendshme dhe eksport.
Çmimet e produkteve bujqësore shpesh janë të padrejta, pasi është verifikuar se, çmimet e grumbullimit në ferma janë ulur, ndërsa në tregjet e pakicës ka rritje.
Pikat e grumbullimit në të shumtën e rasteve e mbledhin produktin e fermerëve pa çmim dhe nuk lëshojnë fatura me TVSH, dhe kjo sjell pasoja për të fermerët, sepse fermeri nuk është i njohur me çmimin real me të cilin shitet produkti tregun vendor ose çmimin me të cilin ky produkt është shitur për eksport.
Prodhuesit u ankuan këtë vit për fiksimin e çmimit të blerjes së produkteve nga të gjitha pikat e grumbullimit. Faturat që deklarojnë pikat e grumbullimit dhe nuk përfaqësojnë çmimin real, i cili sipas fermerëve bëhet me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Nga ana tjetër në tregjet e pakicës në Tiranë çmimet për të gjitha prodhimet bujqësore kanë pësuar rritje dyshifrore./ B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor