Një padi e ndryshuar e paraqitur në gjykatën federale të dielën pretendon se manjati i repit Jay-Z përdhunoi një vajzë 13-vjeçare së bashku me Sean “Diddy” Combs gjatë një feste në vitin 2000.
Jay-Z i mohoi akuzat në rrjetet sociale dhe sulmoi padinë, duke e quajtur atë pjesë të një “përpjekjeje shantazhi” nga avokati i paditëses. Avokatët e Jay-Z nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Padia fillimisht u ngrit në tetor në Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe në atë kohë nuk e përmendi me emër Jay-Z si të pandehur, megjithëse padia e ndryshuar thotë se Jay-Z ishte identifikuar si “Celebrity A” në ankesën origjinale.
Combs ka mohuar të gjitha akuzat kundër tij, përfshirë edhe këtë, në tetor. Ai është aktualisht në burg për akuzat federale të trafikimit të seksit, për të cilat ai është deklaruar i pafajshëm.
Padia pretendon se vajza pa emër u drogua dhe u përdhunua nga Jay-Z dhe Combs në një festë të organizuar nga Combs pas MTV Music Awards në vitin 2000, e cila u mbajt në Nju Jork.
Tony Buzbee, avokat nga Teksasit që përfaqëson vajzën që ngriti padinë të dielën, ka ngritur të paktën 20 padi civile kundër Combs duke e akuzuar atë për sjellje të pahijshme seksuale.
Në një email për Reuters, Buzbee tha se padia e Jay-Z “flet vetë”.
“Kjo është një çështje shumë serioze që do diskutohet në gjykatë,” shkroi Buzbee.
Buzbee, në padinë e tij të ndryshuar, thotë se firma e tij ligjore i kishte dërguar më parë Jay-Z një letër duke kërkuar të ndërmjetësonte një zgjidhje.
Në një postim në rrjetet sociale, Buzbee tha se viktima e supozuar e përdhunimit që ai përfaqëson “nuk ka kërkuar kurrë asnjë qindarkë” nga Jay-Z, duke shkruar se “ajo kërkoi vetëm një ndërmjetësim konfidencial”.