Vendosni fjalën kyçe....

Kanosi efektivin e Rrugores, pranga 19-vjeçarit në Lezhë


Në Lezhë një 19-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka kanosur një efektiv policie me mesazhe.

Ky i fundit ka qenë pasagjer në makinën tip “VW Golf” që është ndaluar për kontroll lidhur me xhamat e errët.

Në pranga ka rënë Rafaelo Lleshi, i cili ka kundërshtuar policinë dhe ka kanosur njërin prej tyre.

Njoftimi

“Kanosi nëpërmjet mesazheve për shkak të detyrës punonjësin e policisë, vihet në pranga 19-vjeçari.

Më datë 08.12.2024, rreth orës 18:00, në qytetin e Lezhës, në afërsi të shinave të trenit, punonjësit e Policisë në përmbushje të detyrave të përcaktuara në planin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë publike e asaj rrugore, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Golf”.

Gjatë kontrollit të mjetit nuk i është gjetur asnjë send i kundraligjshëm, ndërsa gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit rezultoi se, drejtuesi i automjetit nuk dispononte dokument për xhamat e errësuar të makinës dhe për këtë arsye punonjësit e Policisë i kanë hequr veshjen që kishte vendosur për të errësuar xhamat e automjetit.Drejtuesi i automjetit nuk ka kundërshtuar, por, shtetasi Rafaelo Lleshi 19 vjeç, pasagjer në këtë automjet, ka kundërshtuar dhe ofenduar punonjësit e Policisë si dhe, njërit prej tyre i ka dërguar menjëherë në celular një mesazh kërcënues për shkak se i hoqi veshjen që kishte errësuar xhamat e automjetit shoku i tij.Veprimet procedurale janë kryer nga OPGJ i Prokurorisë dhe në përfundim të veprimeve është bërë arrestimi në flagrancë i 19-vjeçarit, shtetasit R. Ll., banues në Lezhë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Procedohen dy të rinjtë në Durrës, tentuan të korruptojnë efektivin e Rrugores

Dy drejtues mjetesh janë proceduar në Durrës pasi akuzohen se janë përpjekur të korruptojnë një efektiv të Policisë Rrugore. 29-vjeçari Xh.S. dhe një i ri me iniciale J.K. kanë pasur gjoba të papaguara dhe i kanë ofruar para efektivit të Rrugores për të shmangur bllokimin e makinës.
“Policia Rrugore e Durrësit ka goditur dy raste mitdhënie në tentativë, duke proceduar penalisht dy drejtues automjetesh të cilët tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë Rrugore.

Gjatë kontrolleve në aksin rrugor Tiranë-Durrës dhe në rrugën “Martin Camaj”, shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndaluar dy automjete me drejtues shtetasit Xh. S., 29 vjeç, dhe J. K. Këta shtetas ishin konstatuar nga punonjësit e Policisë me masa administrative të papaguara. Në momentin e ndalimit, shtetasit Xh. S. dhe J. K. kanë ofruar një shumë parash për të shmangur bllokimin e automjeteve të tyre.

Pas veprimeve të mëtejshme, ata janë proceduar penalisht për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjobiten 589 shoferë në mbarë vendin

589 drejtues mjetesh në mbarë vendin janë ndëshkuar me gjoba për shkelje të ndryshme. Sipas policisë, për kapjen e tyre janë përdorur dronët ndërsa gjobat shkojnë nga 3 mijë deri në 10 mijë lekë të reja.

“Si rezultat i monitorimit me dronë edukues, janë evidentuar, 589 drejtues automjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 3 000 deri në 10 000 lekë të rinj. Janë evidentuar dhe ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara me masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit 274 drejtues automjetesh, shpejtësi që varionin 40 deri në 120 km/h në orë mbi normën e lejuar”, thuhet në njoftim.