Vendosni fjalën kyçe....

Kapen 1.5 kg kokainë në Tiranë, në pranga dy të rinjtë


1.5 kg kokainë është kapur gjatë një operacioni antidrogë në Tiranë.

Në pranga kanë rënë Xhenjo Manushi dhe Klajdi Serjani, nipi i Pajtim Serjanit. Kokainë e kapur ka vlerë në treg rreth 270 mijë euro.

Dy të rinjtë u kapën pranë Kthesës së Kamzës, pranë terminalit të autobusëve.

Manushi e Serjani ishin  nën vëzhgim prej më shumë se gjashtë muajsh nga antidroga. Ata e shpërndanin kokainën në zonën e ish-Parkut por dhe në zona të tjera të Tiranës.

Të dy kanë qenë në të njëjtën makinë luksoze dhe sapo kanë ndaluar kanë dalë me çantën me drogë.

Njoftimi

“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca policore, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fam Fanz”. 

Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit Klajdi Serjani , 24 vjeç, dhe E. M., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kastriotët”, automjetin me drejtues shtetasin Klajdi Serjani , dhe pasagjer shtetasin E. M. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Klajdi Serjani , shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”