E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ka theksuar rëndësinë e një transformimi në qasjen dhe mendësinë për të luftuar korrupsionin.
Ajo nënvizoi se SPAK është simbol i luftës kundër korrupsionit.
“Kur njerëzit mendojnë për luftën kundër korrupsionit, ata mendojnë për SPAK-un. Kjo tregon ndikimin që ky institucion ka pasur deri më tani.”-tha VanHorn.
VanHorn theksoi se sukseset e SPAK nuk janë të izoluara duke thënë se ka bashkëpunim me partnerët.
“Zoti Dumani do të ishte i pari që do të thoshte se SPAK nuk vepron i vetëm. Çdo sukses vjen si rezultat i bashkëpunimit të të gjithë aktorëve në peizazhin e drejtësisë.”-tha e Ngarkuara e SHBA-ve në Tiranë.
Deklarata vlerëson përpjekjet e SPAK, duke theksuar se lufta kundër korrupsionit kërkon një qasje gjithëpërfshirëse dhe angazhim të të gjitha palëve.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon me të vërtetë një transformim në qasjen dhe mendësinë e individëve. Një gjë që më është bërë e qartë është se kur njerëzit mendojnë për luftën kundër korrupsionit, ata mendojnë për SPAK-un. Kjo reflekton ndikimin që SPAK ka pasur deri më tani, dhe padyshim që është një tregues pozitiv. Zoti Dumani do të ishte i pari që do të thoshte se SPAK nuk vepron i vetëm. Çdo sukses që ata arrijnë në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve vjen si rezultat i të gjithë të tjerëve në peizazhin e drejtësisë”
Van Horn mori pjesë në prezantimin e projektit “Integrity Chronicles”, i nisur në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, mbështetet nga Çmimi i Impact IVLP i Departamentit Amerikan të Shtetit në partneritet me Ministrinë e Shtetit për Anti-Korrupsionin dhe Administratën Publike.