Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Në 11 vjet socialistët e futën korrupsionin në çdo cep, koha për ndryshim ka ardhur


Deutetja e PD-së Jorida Tabaku shkruan se kriza e vërtetë që ka detyruar një numër shqetësues të shqiptarëve të zgjedhin emigracionin është korrupsioni i thellë që ka pllakosur çdo cep të vendit.

Ajo shkruan në FB se korrupsioni gëlon në çdo institucion ku nuk mund të marrësh as shërbimin më të thjeshtë pa dhënë ryshfet.

“Kriza e vërtetë, që duket qartë në numrin alarmant të shqiptarëve që zgjedhin emigracionin, buron pikërisht nga korrupsioni i thellë që ka pllakosur çdo cep të vendit tonë. Korrupsioni është kudo, në çdo institucion. Ti nuk mund të marrësh as shërbimin më të thjeshtë pa një ryshfet. Ky është realiteti i përditshëm i mijëra qytetarëve, të cilët përballen me një ekonomi të rrënuar. Çmimet e ushqimeve janë rritur me 55%, pagat janë më të ulëtat në rajon dhe çdo mundësi zhvillimi mbytet nga korrupsioni.

Kadastra është kthyer në një makth. Të varfrit nuk kanë më as pronat e tyre, ndërsa të pasurit përfitojnë gjithçka. Ky është një tjetër shembull i qartë se si buxheti i shtetit është kthyer në një arkë private për një elitë të vogël, ndërsa shumica e shqiptarëve varfërohet çdo ditë. Sa më shumë thellohet varfëria, aq më shumë taksa paguajnë qytetarët, duke u bërë burim i pashtershëm për sistemin korruptiv.” – shkruan Tabaku.

Deputetja demokrate shton se gjatë 11 viteve të qeverisjes së tyre, socialistët kanë shkatërruar çdo të ardhur të ndershme duke shpërdoruar taksat e shqiptarëve me shërbimet publike që janë në degradim e sipër.

Lufta kundër korrupsionit kërkon një ekonomi të drejtë, thekson Tabaku, ndërkohë që Shqipëria është kapur nga elita që sundon për interesat e një pakice të korruptuar.

Në fund ajo nënvizon se koha për ndryshim ka ardhur dhe se paratë e shqiptarëe nuk mund të shkojnë më për pakicën e privilegjuar.

“Paratë tona shkojnë për ata lart, ndërsa ne paguajmë taksa gjithnjë e më të larta dhe marrim gjithnjë e më pak. Për 11 vite me radhë, socialistët kanë shkatërruar çdo të ardhur të ndershme, duke bërë rrush e kumbulla paratë e shqiptarëve. Ndërkohë, shërbimet publike degradojnë dhe qytetarët mbeten pa mbështetje. Të luftosh korrupsionin do të thotë të ndërtosh një ekonomi të drejtë, me më shumë mundësi për biznesin, kosto më të ulëta dhe më shumë ndershmëri. Por sot, Shqipëria është e kapur nga një elitë që sundon shumicën për interesat e një pakice të korruptuar. Parlamenti është kthyer në noter të interesave të kësaj pakice, ndërsa ligjet e “qepura me porosi” nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Koha për ndryshim ka ardhur. Paratë e shqiptarëve nuk duhet të shkojnë për një pakicë të privilegjuar, por për mirëqenien e të gjithëve. Ne nuk mund të pranojmë më një sistem që ushqehet nga korrupsioni. Shqiptarët meritojnë një vizion të ri dhe një angazhim për ndershmëri dhe llogaridhënie.” – mbyll shënimin Tabaku.