Është zbardhur një vdekje e ndodhur tetë ditë më parë në Spitallë të Durrësit.
Një 35-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e sotme pasi akuzohet se ka hedhur nga ura 33-vjeçarin me iniciale B.Sh. Dy të rinjtë dyshohet se kanë qenë të dehur kur janë zënë me njëri-tjetrin.
Autori i dyshuar ka goditur me grusht viktimën ndërsa ky i fundit ka rënë në kanalin e ujërave të zeza duke gjetur vdekjen.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 2 dhjetor por trupi i viktimës u gjet tre ditë më vonë pas denoncimit të babait të tij, që çoi në nisjen e kërkimeve nga ana e policisë.
“Pas veprimeve hetimore të thelluara të kryera nga strukturat hetimore Durrës, nën drejtimin Prokurorisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kontakti”, identifikuan dhe arrestuan autorin e vrasjes së 33-vjeçarit. “Nga këqyrja e trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune, por nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe veprimeve të tjera hetimore, grupi hetimor krijoi dyshime se ngjarja nuk ishte aksidentale. Teksa pas mbledhjes së fakteve dhe dëshmive, u zbulua dhe dokumentua me prova shkencore se shtetasi M. H., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 15 Durrës, më 2 Dhjetor, pas një konflikti për motive të dobëta, “ka shtyrë duke e hedhur nga një urë në kanalin e ujërave të zeza shtetasin B. Sh, i cili si pasojë e rrëzimit ka humbur jetën”. Hetimet e mëtejshme i kanë kaluar prokurorisë vendore, teksa do bëhet edhe klasifikimi përfundimtar i veprës penale, pasi paraprakisht dyshohet për vrasje.” – thuhet në njoftimin e policisë.