Vendosni fjalën kyçe....

Ahmetaj akuzohet se ka shpërdorur detyrën në privatizimin e fabrikës, GJKKO kthen në SPAK dosjen “Buka”


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kërkon Prokurorisë së Posaçme hetime të tjera në lidhje me privatizimin e shoqërisë “Buka” sha, për të cilën ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre me dëm ekonomik rreth 7 miliardë lekë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se GJKKO i ka dhënë 3 muaj afat Prokurorisë së Posaçme për të plotësuar hetimet lidhur me këtë çështje.

Për dosjen “Buka” është vendosur nën hetim ish-ministri Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati, ku akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”, me dëm ekonomik rreth 7 miliardë lekë. Ditën e sotme ishte seanca paraprake, ku pritej kalimi i dosjes për gjykim nga GJKKO.

Prokurori i çështjen Elvin Gokaj ka afat deri në datë 10 mars 2025 për të plotësuar hetimet e munguara.

Arben Ahmetaj akuzohet nga SPAK se ka shpërdorur detyrën duke favorizuar privatizimin nga biznesmeni Lirim Fezollari të shoqërisë “Buka sha”, ku tashmë ndodhet kompleksi ‘Emerald’ tek rruga “5 Maji” në Tiranë, në zonën e “Medresesë”.