Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Amerikane: Përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për sundimin e ligjit dhe transparencë


Ambasada e SHBA në Tiranë ka bërë një postim në rrjetin social Facebook lidhur me Ditën Kundër Korrupsionit.

Ambasada bën me dije se Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare.

Ndërsa iu referua edhe 10 kampionëve të anti-korrupsionit që u shpallën dje nga DASH, mes tyre ishte e kreu i SPAK, Altin Dumani.

Postimi i plotë: 

Korrupsioni gërryen qeverisjen demokratike, minon besimin në qeveri dhe pengon zhvillimin, prandaj Departamenti i Shtetit promovon integritetin, transparencën dhe llogaridhënien si përparësi të politikës së jashtme dhe interesa thelbësore të sigurisë kombëtare.

Që nga miratimi i Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit (UNCAC) dhe ratifikimi nga SHBA, Shtetet e Bashkuara kanë qenë lider në zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare kundër korrupsionit.

Shtetet e Bashkuara themeluan Çmimin e Kampionëve kundër Korrupsionit në vitin 2021 për të vlerësuar individët që kanë ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të shfaqur solidaritetin e SHBA me këta partnerë heroikë.

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, ne njohim 10 kampionë kundër korrupsionit, të cilët kanë udhëhequr ose kanë mbrojtur reformat dhe hetimet që po sjellin një botë më të drejtë dhe transparente për bashkëqytetarët e tyre.

I përgëzojmë të gjithë ata që luftojnë për llogaridhënie, sundim të ligjit, transparencë dhe liri të shtypit. Të vlerësuarit e këtij viti janë Jorge Mora Cortes nga Kolumbia, Matrika Dahal nga Nepali, Altin Dumani nga Shqipëria, Srbuhi Galyan nga Armenia, Carl Irani nga Libani, Marr Nyang nga Gambia, Javier Enrique Caraballo Salazar nga Panamaja, Didar Smagulov nga Kazakistani, Jimmy Spire Ssentongo nga Uganda dhe Sevinj Vagifgizi nga Azerbajxhani.

Ne jemi të nderuar të punojmë përkrah kampionëve si këta për të mposhtur korrupsionin. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët për të përmbushur vizionin e UNCAC dhe kornizave të tjera ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe qeverisjes së mirë.