Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja amerikane paralajmëron  të tjera non-grata në Maqedoninë e Veriut


Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar sanksione të tjera ndaj familjarëve të personave të përcaktuar non grata nga DASH.

Angela Aggeler e bëri deklaratën një ditë pasi DASH shpalli non grata ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti.

“Ka një sërë sanksionesh në dispozicion nga Qeveria amerikane, siç e dini. Ka sanksione të Thesarit. Ka sanksione të zgjeruara të mundshme për anëtarët e tjerë të familjes së atyre që janë emëruar. Pra, në këtë pikë, të gjitha ato shqyrtime janë ende në proces”, tha Aggeler gjatë një konference për shtyp në Shkup.

“Futja në listën e zezë e individëve që janë përfshirë në korrupsion kriminal, është një proces që vazhdon. Ka një listë shumë dinamike, në kuptimin që ajo vazhdimisht shtohet, dhe provat shqyrtohen shumë me kujdes në Uashington”, theksoi Aggeler.