Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk do arratisem si Assad, shërbimet e huaja duan të më rrëzojnë” – Vuçiç pas protestave në rritje


Presidenti i Serbisë akuzoi të martën shërbimet e huaja të inteligjencës se po përpiqeshin ta rrëzonin nga pushteti në vazhdën e përhapjes së protestave në shtetin ballkanik dhe se ai nuk do largohej nga vendi si kreu i rrëzuar sirian Bashar Assad.

Presidenti Aleksandar Vuçiç postoi një videomesazh në Instagram duke thënë: “Unë do luftoj për Serbinë dhe do t’i shërbej vetëm popullit tim serb dhe të gjithë qytetarëve të tjerë të Serbisë, nuk do t’u shërbej kurrë të huajve, atyre që kërkojnë të mposhtin, poshtërojnë dhe shkatërrojnë Serbinë.”

Kundërshtarët e kreut populist e krahasuan atë me Assad-in, i cili iku në Moskë pas një përparimi të beftë të rebelëve, duke i dhënë fund sundimit të hekurt gjysmë shekullor të familjes së tij.

Kundërshtarët e Vuçiçit në Serbi e kanë krahasuar atë me Assad-in dhe diktatorët e tjerë botërorë, duke parashikuar se ai gjithashtu mund të përpiqet të largohet nga vendi nëse humbet kontrollin e fortë të pushtetit mes protestave të shkaktuara nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit më 1 nëntor ku u vranë 15 persona.

Protestuesit në Novi Sad, Beograd dhe qytete të tjera serbe kanë fajësuar për kolapsin vdekjeprurës korrupsionin e shfrenuar në vend që çoi në punime të dobëta të rinovimit në ndërtesën e stacionit në Novi Sad – pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me kompanitë shtetërore kineze të përfshira në një numër projekte infrastrukturore në vendin ballkanik.

Rënia e mbulesës prej betony është kthyer në një pikë ndezjeje për pakënaqësi më të gjerë me sundimin autokratik në rritje të Vuçiçit, duke pasqyruar kërkesat publike për ndryshime demokratike në vend.

Në video, Vuçiç pretendoi se protestave në përhapje, të cilave u janë bashkuar së fundmi studentë të universitetit, financohen nga Perëndimi me qëllimin për ta rrëzuar atë dhe qeverinë e tij nga pushteti “me taktika hibride që përdoren për të minuar vendin”.

“Nëse ata mendojnë se jam Assad-i dhe se do ik diku, gabohen. Nuk do e bëj”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se në ditët dhe javët në vijim, ai do shfaqë “me hollësi të plota sa para janë paguar gjatë katër viteve të fundit për të shkatërruar Serbinë” dhe për ta bërë atë një shtet vasal, “i cili nuk do merrte vendimet e veta apo do zgjidhte të ardhmen e vet, por në vend të kësaj do duhej të dëgjonte dhe t’i shërbente dikujt tjetër.”

Kombi ballkanik po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që mban lidhje shumë të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Vuçiç, i cili pretendon asnjanësinë politike të Serbisë, është zotuar vazhdimisht që të mos i bashkohet kurrë sanksioneve perëndimore kundër Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë.

Në një lëvizje që mund ta pengojë më tej Serbinë nga ambiciet e saj të shpallura në BE, ligjvënësit e parlamentit kombëtar kanë filluar të diskutojnë një projektligj që do krijonte një regjistër të “agjentëve të huaj” – një kopje e një ligji kufizues të miratuar më parë në Rusi.

Projektligji synon të rregullojë organizatat dhe individët që marrin më shumë se 50% të financimit të tyre nga burime të huaja. Kritikët si brenda Serbisë ashtu edhe ndërkombëtarisht kanë paralajmëruar se një ligj i tillë mund të stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile, të pengojë operacionet e tyre dhe të kufizojë lirinë e shprehjes.