Seanca gjyqësore e megaprocesit të njohur si “Plumbi i Artë” ka shpërthyer në tensione të mëdha në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Krimet e Rënda (GJKKO). Nuredin Dumani, bashkëpunëtori i drejtësisë, ka vazhduar të dëshmojë për grabitjet e kryera në qytetet e Elbasanit, Kavajës dhe Durrësit, në të cilat përfshiheshin emra të njohur si Talo Çela, Ilirjan Feçi, Gentian Sharra dhe të tjerë.
Në seancën e zhvilluar ditën e sotme, tensionet janë shkaktuar nga disa akuza të ashpra të drejtuara nga të akuzuarit, të cilët kanë kundërshtuar dëshminë e Dumanit, duke ndërprerë fjalën e tij. GJKKO ka ndërprerë seancën për disa minuta për të qetësuar situatën.
Një nga momentet më të nxehta ka qenë shpërthimi i të akuzuarit Petrit Qoli, i cili e ka quajtur Dumanin “krijesën më të shpifur njerëzore” që ka njohur në 53 vitet e jetës së tij.
Gjatë dëshmisë, Dumani ka rrëfyer detaje të frikshme lidhur me grabitjet, duke përmendur një incident të ndodhur në Kavajë, ku ai thotë se Talo Çela e goditi me levë një kambist, duke i thyer nofullën dhe e la atë të paaftë për të folur. Pas grabitjes, sipas Dumanit, ata morën një shumë prej rreth 20 milionë lekësh, raporton BW.
Dumani ka folur gjithashtu për një ngjarje tjetër në vitin 2012, kur ai shiti një snajper te Ardian Ozuni, i njohur si “Cufi”, dhe ka përmendur një atentat të planifikuar ndaj Filip Gjeloshit, i cili ishte paguar fillimisht me 5 mijë euro nga Ozuni.
Në seancë, avokatët e të akuzuarve kanë shprehur shqetësim për pyetjet e bëra nga prokurori i SPAK-ut, Behar Dibra, duke i konsideruar ato si sugjestionuese dhe presion ndaj bashkëpunëtorit të drejtësisë.