Tre adoleshentë janë proceduar penalisht pas sherrit të ditës së djeshme pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, ku dy të mitur mbetën të dëmtuar.
Policia raportoi se janë proceduar tre të mitur, të moshave 14 dhe 15 vjeç, të cilët janë përfshirë në një konflikt me disa bashkëmoshatarë, ku dy të mitur të tjerë, 10 dhe 14 vjeç, u dëmtuan.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht 3 shtetas të mitur të moshave 14, 14 dhe 15 vjeç, pasi ditën e djeshme, në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, janë konfliktuar, dyshohet me sende të forta, me disa bashkëmoshatarë të tyre.
Si pasojë janë dëmtuar dy të mitur të moshave 10 dhe 14 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mjete prerëse, lëndë piroteknike (flakadanë dhe fishekzjarrë) dhe një send i fortë (shkop)”, njoftoi policia.