Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti thirret të dëshmojë në Prokurorinë Speciale, zëdhënësi: Përpjekje për të ndikuar në zgjedhje


Kryeministri Albin Kurti është thirrur të dëshmojë në Prokurorinë Speciale. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Kryeziu shton se kjo ftesë është një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu.

Albin Kurti do duhet të dëshmojë në Prokurorinë Speciale më 16 dhjetor.

“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro. Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”, thuhet në udhëzimet e Speciales.