Vendosni fjalën kyçe....

Rusia e shtyu Assadin të arratisej nga Siria pasi u bind se e kishte humbur luftën


Bashar al-Assad gjatë një ceremonie për të mirëpritur Vladimir Putinin në bazën ajrore Khmeimim në 2017

Me forcat e opozitës siriane që po përparonin me shpejtësi drejt kryeqytetit Damask, fati i presidentit Bashar al-Assad ishte në duart e Rusisë ndërsa ushtria e tij u shkri.

Ende i përndjekur nga videoja e vrasjes dhe gjymtimit prej turmës të ish-kreut libian Moammar Gaddafi në luftën civile vendit afrikan në vitin 2011, Kremlini lëvizi për të shpëtuar aleatin e tij pasi arriti në përfundimin se nuk mund të bënte asgjë për të mbështetur regjimin e Assadit.

Presidenti rus Putin ka nisur të hetojë pse shërbimi rus i inteligjencës nuk e vuri re kërcënimin në rritje ndaj sundimit të Assadit derisa kur ishte tepër vonë, tha një person i afërt me Kremlinin që ka njohuri për çështjet e brendshme.

Rusia e bindi Asadin se ai do e humbiste luftën kundër grupeve të armatosura të udhëhequra nga ish-dega e al-Kaedës HTS dhe i ofroi atij dhe familjes së tij kalim të sigurt nëse largohej menjëherë, sipas tre personave që kishin njohuri për atë që ndodhi, duke kërkuar të mos identifikoheshin sepse çështja është e ndjeshme.

Agjentët e inteligjencës ruse organizuan arratisjen, duke e larguar Assadin përmes një baze ajrore në Siri, thanë dy persona. Transponderi i avionit u fik për të shmangur gjurmimin, tha njëri prej tyre.

Ndërhyrja për të çuar diktatorin sirian dhe familjen e tij në mërgim i dha fund sundimit më shumë se gjysmë shekulli të dinastisë Assad, pasi Bashar pasoi në pushtet babain e tij Hafez, i cili ishte president nga viti 1971 deri në vdekjen e tij në vitin 2000. Brenda disa orësh pas largimit të Assad-it, militantët pushtuan pa asnjë lloj rezistence Damaskun dhe shpallën fitoren në konfliktin sirian që zhvillohej dhunshëm prej gati 14 vitesh.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Presidenti Putin nuk ka folur publikisht deri tani, për rënien e regjimit të Assad-it.

Luftëtarët rebelë sirianë festojnë në Homs në orët e para të 8 dhjetorit.

“Lëvizja ishte për të pasur nën kontroll dëmin që pritej,” tha Ruslan Pukhov, kreu i Qendrës për Analizën e Strategjive me qendër në Moskë, një institut kërkimor për mbrojtjen dhe sigurinë. Ai tha se ishte “shumë logjike” që Rusia t’i thoshte Assad-it të dorëzohej pasi donte të shmangte një gjakderdhje në të cilën ai do kishte të njëjtin fat si Gaddafi ose udhëheqësi irakian Sadam Hussein, i cili u var në vitin 2006 pas një gjyqi.

Me Rusinë të shqetësuar për të ardhmen e dy bazave të saj kryesore ushtarake në Siri – një port detar në Tartus dhe aeroportin në Khmeimim – Kremlini po përpiqet të ruajë qetësinë për atë që ka ndodhur, pasiu kap në befasi nga shpejtësia me të ciën u zhvilluan  ngjarjet në terren.

Mediat ruse po i mëshojnë mesazhit se Assad ishte fajtori kryesor për humbjen, ndërsa Moska e mbajti fjalën duke mos e braktisur dhe tani duhet të përqendrohet në ruajtjen e interesave të saj strategjike në Siri dhe Lindjen e Mesme më gjerë.

Rusia kishte bombarduar fillimisht luftëtarët e opozitës, në një përpjekje për t’i larguar ata dhe për të forcuar forcat e Assad-it. Por me ushtrinë siriane që ofronte pak rezistencë ndërsa rebelët pushtuan qytetin e Hamas brenda disa ditësh nga pushtimi i Alepos, Rusia arriti në përfundimin se nuk mund ta mbronte regjimin pasi opozita goditi qytetin strategjik të Homsit, tha një nga njerëzit.

Ministria e Jashtme në Moskë të dielën njoftoi se Assad kishte dhënë dorëheqjen dhe ishte larguar nga vendi i tij, duke shtuar se Rusia ishte në kontakt me “të gjitha grupet e opozitës siriane”.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilloi bisedime mbi krizën siriane me homologët e tij iranianë dhe turq në kryeqytetin e Katarit, Doha, të shtunën.

Irani, ashtu si Rusia, ishte një mbështetës i ngushtë i Asadit. Të dy vendet dolën në mbrojtje të tij në vitin 2015, me Putinin që dërgoi ushtrinë ruse në Siri për të ndihmuar Assad-in të largonte rebelët që po rrethonin Damaskun. Turqia mbështeti kryengritësit të cilët më në fund arritën të rrëzonin sundimtarin sirian prej shumë kohëshë pushtet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani