Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja po konsideron sanksione të reja ndaj naftës ruse para se Trump të marrë detyrën


Administrata Biden po peshon sanksione të reja, më të ashpra kundër tregtisë fitimprurëse të naftës nga Rusia, duke kërkuar të forcojë shtrëngimin në makinerinë e luftës së Kremlinit vetëm disa javë përpara se Donald Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Holllësitë e masave të reja të mundshme janë duke u përpunuar ende, por ekipi i presidentit Biden po shqyrtonte kufizime që mund të synonin disa eksporte të naftës ruse, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin.

Ky hap ishte diçka të cilit Biden i kishte rezistuar prej kohësh për shkak të frikës se mund të shkaktonte një rritje të kostove të energjisë, veçanërisht në prag të zgjedhjeve presidenciale të muajit të kaluar. Por me çmimet e naftës që kanë rënë mes një tepricë globale dhe frikës në rritje se Trump mund të kërkojë të detyrojë Ukrainën në një marrëveshje të shpejtë me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj gati trevjeçare, administrata Biden tani është e hapur për veprime më agresive.

Diskutimet nxjerrin në pah se si ekipi i Bidenit është më i gatshëm të marrë rreziqe në përballjen me Rusinë ndërsa përgatitet të largohet, veçanërisht me përpjekjet e mëparshme për të mbytur të ardhurat e energjisë së Kremlinit që kanë dhënë rezultate të përziera me çmimet mesatare të benzinës në SHBA që kanë arritur nivelin e tyre më të ulët që nga mesi i vitit 2021. Në javët e saj të fundit, administrata gjithashtu ka lëvizur për të rritur mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën mes pyetjeve rreth angazhimit të Trump për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së.

SHBA tashmë i ndalon importet e naftës ruse, por kufizimet e reja në eksportet e një prej prodhuesve më të mëdhenj në botë – që mund të përfshijnë veçimin e blerësve të huaj të naftës së saj të papërpunuar – do përmbysnin më shumë se dy vjet politikë të vendosur pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Administrata po peshonte gjithashtu sanksione të reja që synonin flotën e cisternave që Rusia përdor për të transportuar naftën e saj, thanë njerëzit. Kufijtë e rinj për të ashtuquajturën “flotë hije” mund të zbulohen në javët në vijim.

Bashkimi Evropian po planifikon masa të ngjashme ndaj ”flotës hije” të Rusisë para fundit të vitit. Blloku gjithashtu pritet të synojë individët e përfshirë në tregti.

Sanksionimi i cisternave ruse

Gjithsej 106 cisterna janë sanksionuar për transportimin e naftës ruse

Zëdhënësit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të Thesarit nuk pranuan të komentojnë të martën.

Një model për sanksione më të gjera të SHBA-së mund të jetë vendosja e kufizimeve të ngjashme me ato për naftën iraniane. Në këtë rast, blerësit e naftës do përballen me ndëshkimin e SHBA-së. Një veprim i tillë do ishte i mbushur me rreziqe, duke pasur parasysh se vendet e fuqishme, përfshirë Indinë dhe Kinën, janë konsumatorët kryesorë të naftës së papërpunuar ruse.

Menjëherë, kufizime të tilla mund të rrisin çmimet e naftës, duke shkaktuar tendosje ekonomike globale. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar janë mbajtur në një interval të ngushtë që nga mesi i tetorit, me standardin ndërkombëtar Brent që tregtohet nën 75 dollarë për fuçi, krahasuar me më shumë se 120 dollarë në muajt pas pushtimit të Rusisë.

Kjo gjithashtu do nxiste tensionet me kundërshtarët dhe partnerët, me ndihmën e të cilëve SHBA-ja dëshiron të kufizojë eksportet e mallrave të ndjeshme si çipat dhe teknologji të tjera që ushqejnë makinën luftarake të Rusisë.

Ndërsa lëvizjet do kërkonin të kapitalizonin një treg më të butë të naftës, ato do synonin gjithashtu të rrisin presionin ndaj Rusisë përpara se Trump të marrë detyrën. Presidenti i zgjedhur ka shtyrë për negociata për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe zyrtarët thonë se duan t’i japin qeverisë së presidentit Zelenskiy sa më shumë ndihmë që të jetë e mundur para çdo bisedimi.

Duke pasur parasysh këtë, shtrëngimi i financave të presidentit russ Putin edhe më tej mund të forcojë pozitën negociuese të Ukrainës. Ka një mundësi që Trump mund të heqë masat nëse ai mendon se ato kanë rritur çmimet e naftës, por kjo rrezikon koston e mundshme politike duke e bërë të dukej i dobët dhe se po i ofron lëshime Rusisë shumë shpejt.

Deri tani, Biden kishte kufizime të kontrolluara për naftën ruse në një përpjekje për të kufizuar çmimin e naftës së papërpunuar që ajo shet, duke ekuilibruar nevojën për të shmangur tronditjen e tregjeve globale dhe për të kufizuar të ardhurat që Rusia fiton nga blerësit.

Megjithatë, ndërsa vlera e furnizimeve të naftës në det ra pasi Gr7 vendosi kufirin e çmimeve në fillim të dhjetorit 2022, ajo është rikuperuar që atëherë.

Tregjet e naftës së papërpunuar të Rusisë

Dërgesat mesatare katërjavore të papërpunuara nga Rusia sipas destinacionit (2022-2024)

Masa e fundit do pasonte kufizimet që SHBA-ja vendosi muajin e kaluar ndag Gazprombank, institucioni i fundit financiar i madh rus që ishte përjashtuar nga gjobat. Administrata Biden kishte vendosur më parë të mos vendoste sanksione kundër bankës, të cilën vendet evropiane e përdorin për të paguar për gazin që ata ende blejnë nga Rusia, nga frika se mos shkaktonin trazira në tregjet globale të mallrave.

Tashmë, Hungaria, si dhe vende të tjera që mbështeten në importet e gazit rus, kanë paralajmëruar se vendimi i SHBA-së përbën një rrezik potencial për sigurinë energjetike. Turqia ka kërkuar gjithashtu heqjen e sanksioneve.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani