Vendosni fjalën kyçe....

Transformatori dyshohet se u godit me kamion, mbesin pa energji mbi 200 familje në Pogradec


Mbi 200 familje kanë mbetur pa energji elektrike në një nga lagjet e fshatit Bucimas të bashkisë Pogradec pasi një shtetas ende i paidentifikuar nga policia ka goditur një transformator të energjisë elektrike me një mjet që sipas policisë dyshohet të jetë kamion.

Grupet e punës së OSHEE-së kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje së bashku me Policinë e Shtetit, ku këta të fundit janë angazhuar për të gjetur autorin e kësaj ngjarjeje. Dëmi në transformator është i madh, ndërsa do të kërkojë disa orë pune deri në rikthimin në gjendjen e mëparshme.

Vetë autori i ngjarjes është larguar, pasi ka goditur vendin ku qëndronte transformatori në një lagje tepër të banuar. Sipas informacionit në rrugë zyrtare nga OSHEE, po shihet mundësia për vendosjen e një transformatori të ri, pasi ekzistenti është dëmtuar rëndë nga goditja dhe rrëzimi.

Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar nga elektriciteti në momentin e goditjes, edhe pse ky transformator ndodhet pranë banesave.