Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj pret kreun e BDI-së: Po e ndjekim me shqetësim situatën në Maqedoninë e Veriut


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim kreun e Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili është shpallur gjithashtu “Qytetar Nderi” i Tiranës.

Në këtë takim, Veliaj theksoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ndikimin e tyre në forcimin e identitetit kombëtar dhe proceset e integrimit evropian të vendit.

Ai shprehu shqetësim për iniciativat që mund të rrezikojnë të drejtat e shqiptarëve, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe, e cila, sipas tij, ka kontribuar në përparimin dhe përqafimin e vlerave perëndimore në Maqedoninë e Veriut.

Veliaj gjithashtu e theksoi angazhimin e tij për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përpjekjet për të lidhur ura mes qyteteve të Ballkanit. Ai shprehu mbështetje për vendimmarrjet që promovojnë unitetin dhe diversitetin në rajon.

“Sa kemi pasur mundësinë, jemi përpjekur të lidhim ura. Jam munduar që, me gjithë rrjetin e bashkive pjesë të B-40-ës, këtë vit, të bëj më të mirën që kombet të afrohen.

Kjo do të thotë se jemi shumë të shqetësuar kur ka nisma për të mohuar të drejta tashmë të fituara, për të mohuar të drejta, siç është gjuha shqipe, që e kanë bërë Maqedoninë e Veriut më të mirë, më perëndimore, më evropiane.

Po ndjekim me shqetësim gjithë vendimmarrjen e këtyre ditëve. E di që po përgatitet një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe lutja jonë është të kuptojmë se kombet e mëdhenj janë kombet pa komplekse.

Një gjuhë, një etni, një grup, një minoritet, një faktor të pasuron, nuk të varfëron. Përkundrazi, kur tregohesh vetanak, zvogëlohesh; kur mendon që vetë i di të gjitha, që vetë mundesh të ecësh në gjithë këto procese, pa shokë, pa skuadër, fillon e zvogëlohesh.

Maqedonia e Veriut është bërë më e madhe, se shqiptarët janë respektuar është bërë më e madhe se kjo gjuhë është respektuar; është bërë më e madhe në sytë e botës, sepse këto të drejta janë njohur”, shtoi më tej kryebashkiaku i Tiranës.

Nga ana e tij, Ahmeti vlerësoi mbështetjen e Veliajt për paqen dhe demokracinë në Maqedoninë e Veriut, si dhe angazhimin e tij për ruajtjen e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtave të shqiptarëve.

Ahmeti theksoi se çdo ndryshim në këtë marrëveshje mund të dëmtonte marrëdhëniet ndëretnike dhe stabilitetin e rajonit, duke përmendur se kjo marrëveshje është e garantuar nga SHBA, BE dhe NATO.

“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme që unë takova sot kryetarin tim, sepse është edhe i imi, unë jam qytetar nderi i Tiranës. Me përkrahjen që i jep marrëveshjes së Ohrit, kryetari i Tiranës i jep mbështetje paqes, i jep mbështetje demokracisë, i jep mbështetje marrëdhënieve të mira ndëretnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Çdo ndryshim apo cenim i marrëveshjes së Ohrit, i ligjit të gjuhës shqipe, që është nga shtyllat kryesore të marrëveshjes paqësore për Ohrin, do të thotë që dëmton marrëdhëniet ndër etnike.

Ishte një inkurajim për mua mbështetja që kryetari i Tiranës i jep marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit është dokument i garantuar nga SHBA, nga BE dhe nga NATO”, deklaroi Ahmeti gjatë fjalës së tij.