24 orët e fundit të Assad-it në Siri


Bashar al-Assad nuk ia besoi pothuajse askujt planet e tij për t’u larguar nga Siria, ndërsa mbretërimi i tij u shemb. Në vend të kësaj, ndihmësit, zyrtarët dhe madje edhe të afërmit u mashtruan ose u mbajtën në errësirë, thanë për Reuters më shumë se dhjetëra njerëz me njohuri për ngjarjet.

Disa orë para se të arratisej për në Moskë, Assad siguroi në një takim, rreth 30 shefa të ushtrisë dhe sigurimit në Ministrinë e Mbrojtjes të shtunën se mbështetja ushtarake ruse ishte në rrugë e sipër dhe u kërkoi forcave tokësore që të rezistonin, sipas një komandanti që ishte i pranishëm dhe kërkoi të fliste në kushteanonimiteti.

Stafi civil u mbajt gjithashtu në errësirë.

Assad i tha menaxherit të zyrës së tij presidenciale të shtunën kur mbaroi punën se po shkonte në shtëpi, por në vend të kësaj u nis për në aeroport, sipas një ndihmësi në rrethin e tij të ngushtë.

Ai gjithashtu thirri këshilltaren e tij për media, Buthaina Shaaban, dhe i kërkoi asaj që të vinte në shtëpinë e tij për t’i shkruar atij një fjalim, tha ndihmësi. Ajo mbërriti dhe pa se askush nuk ishte atje.

“Assad nuk bëri as qëndresën e fundit. Ai as nuk mblodhi trupat e tij,” tha Nadim Houri, drejtor Ekzekutiv i Institutit Rajonal të Nismës për Reforma Arabe.

“Ai i la mbështetësit e tij të përballen me fatin e tyre.”

Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte Assad-in në Moskë, ku atij i është dhënë azil politik. Intervistat me 14 persona të njohur me ditët dhe orët e tij të fundit në pushtet, paraqesin një pamje të një drejtuesi që kërkon ndihmë nga jashtë për të zgjatur sundimin e tij 24-vjeçar përpara se të mashtrojë dhe  vjedhë ç’të mundet para se të komplotojë largimin e tij nga Siria në orët e para të së dielës.

Shumica e burimeve, të cilët përfshijnë ndihmës në rrethin e brendshëm të ish-presidentit, diplomatë rajonalë, burime sigurie dhe zyrtarë të lartë iranianë, kërkuan që emrat e tyre të fshiheshin duke qenë se bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme.

Assad nuk e informoi as vëllain e tij më të vogël, Maher, komandant i Divizionit të 4-të të Blinduar elitar të ushtrisë, për planin e tij të arratisjes, sipas tre ndihmësve. Maher fluturoi me një helikopter në Irak dhe më pas në Rusi, tha një nga njerëzit.

Kushërinjtë e Assad-it nga nëna, Ehab dhe Eyad Makhlouf, u lanë në mënyrë të ngjashme pasi Damasku ra në duart e rebelëve, sipas një ndihmësi sirian dhe zyrtari libanez të sigurisë. Dyshja u përpoqën të iknin me makinë për në Liban, por u zunë në pritë gjatë rrugës nga rebelët, të cilët qëlluan dhe vranë Ehabin dhe plagosën Eyadin, thanë ata. Nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar për vdekjen dhe Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur incidentin.

Vetë Assad u largua nga Damasku me aeroplan të dielën, më 8 dhjetor, duke fluturuar nën radar me transponderin e avionit të fikur, thanë dy diplomatë rajonalë, duke i shpëtuar kthetrave të rebelëve që sulmuan kryeqytetin. Arratisja dramatike i dha fund 24 viteve të sundimit të tij dhe gjysmëshekullit të pushtetit të pandërprerë të familjes së tij dhe solli një ndalesë të papritur të Luftës Civile 13-vjeçare.

Ai fluturoi për në bazën ajrore ruse Hmeimim në qytetin bregdetar sirian të Latakias dhe prej andej në Moskë.

Familja e afërt e Assad-it, gruaja Asma dhe tre fëmijët e tyre, po e prisnin tashmë atë në kryeqytetin rus, sipas tre ish-ndihmësve të afërt dhe një zyrtari të lartë rajonal.

Videot e shtëpisë së Assad-it, të marra nga rebelët dhe qytetarët qëu  grumbulluan në kompleksin presidencial pas fluturimit dhe të postuara në mediat sociale, sugjerojnë se ai bëri një largim të nxituar, duke treguar ushqim të gatuar të mbetur në sobë dhe disa sende personale të lëna pas, si albume fotografish familjare, etj.

Rusia dhe Iran e lanë në baltë

Nuk do kishte shpëtim ushtarak nga Rusia, ndërhyrja e së cilës në vitin 2015 e kishte ndihmuar të kthente valën e Luftës Civile në favor të Assad-it, apo nga aleati tjetër i tij i vendosur, Irani.

Kjo i ishte bërë e qartë udhëheqësit sirian në ditët para largimit të tij, kur ai kërkoi ndihmë nga qarqe të ndryshme në një garë të dëshpëruar për t’u kapur pas pushtetit dhe për të siguruar sigurinë e tij, sipas njerëzve të intervistuar nga Reuters.

Assad vizitoi Moskën më 28 nëntor, një ditë pasi forcat rebele siriane sulmuan provincën veriore të Aleppos dhe nisën një operacion rrufe në gjithë vendin, por lutjet e tij për ndërhyrje ushtarake ranë në vesh të shurdhër në Kremlin, i cili nuk ishte i gatshëm të ndërhynte, thanë tre diplomatë rajonalë.

Hadi al-Bahra, kreu i opozitës kryesore të Sirisë jashtë vendit, tha se Assad nuk ua përcolli të vërtetën e gjendjes ndihmësve në shtëpi, duke cituar një burim brenda rrethit të ngushtë të Assad-it dhe një zyrtar rajonal.

“Ai u tha komandantëve dhe bashkëpunëtorëve të tij pas udhëtimit të tij në Moskë se mbështetja ushtarake po vinte,” shtoi Bahra.

“Ai po i gënjeu. Mesazhi që mori nga Moska ishte negativ.”

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve të mërkurën se Rusia kishte shpenzuar shumë përpjekje për të ndihmuar në stabilizimin e Sirisë në të kaluarën, por prioriteti i saj tani ishte lufta në Ukrainë.

Katër ditë pas atij udhëtimi, më 2 dhjetor, ministri i Hashtëm iranian Abbas Araqchi u takua me Assad-in në Damask. Në atë kohë, rebelët nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) kishin marrë kontrollin e qytetit të dytë më të madh të Sirisë, Aleppo dhe po shtriheshin drejt jugut ndërsa forcat qeveritare po shkatërroheshin.

Assad ishte dukshëm i shqetësuar gjatë takimit dhe pranoi se ushtria e tij ishte shumë e dobësuar për të bërë një rezistencë efektive, tha një diplomat i lartë iranian për Reuters.

Assad kurrë nuk kërkoi që Teherani të vendoste forca në Siri, megjithatë, sipas dy zyrtarëve të lartë iranianë, të cilët thanë se ai e kuptonte se Izraeli mund të përdorte çdo ndërhyrje të tillë si një arsye për të synuar forcat iraniane në Siri apo edhe vetë Iranin.

Kremlini dhe Ministria e Jashtme ruse nuk pranuan të komentojnë për këtë shkrim, ndërsa Ministria e Jashtme iraniane nuk ishte menjëherë e disponueshme për të komentuar.

Assad përballet i vetëm me rrëzimin

Pasi shteroi mundësitë, Assad më në fund pranoi pashmangshmërinë e rënies së tij dhe vendosi të largohej nga vendi, duke i dhënë fund sundimit dinastik të familjes së tij që daton që nga viti 1971.

Tre anëtarë të rrethit të brendshëm të Assad-it thanë se ai fillimisht donte të kërkonte strehim në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi rebelët pushtuan Aleppon dhe Homsin dhe po përparonin drejt Damaskut.

Ata thanë se ai ishte kundërshtuar nga Emiratet që kishin frikë nga një reagim ndërkombëtar për strehimin e një figure që i nënshtrohet sanksioneve të SHBA-së dhe Evropës për gjoja përdorimin e armëve kimike në një sulm të shkuar ndaj kryengritësve, akuza që Assad i ka hedhur poshtë si një sajesë.

Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Megjithatë, Moska, pavarësisht se nuk dëshironte të ndërhynte ushtarakisht, nuk ishte e përgatitur të braktiste Assad-in, sipas një burimi diplomatik rus që foli në kushte anonimiteti.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, duke marrë pjesë në forumin e Dohas në Katar të shtunën dhe të dielën, udhëhoqi përpjekjet diplomatike për të garantuar sigurinë e Assad-it, duke angazhuar Turqinë dhe Katarin që të përdorin lidhjet e tyre me HTS-në për të siguruar daljen e sigurt të Assad-it për në Rusi, thanë dy zyrtarë rajonalë. .

Një burim perëndimor i sigurisë tha se Lavrov bëri “çfarëdo që mundi” për të siguruar largimin e sigurt të Assad-it.

Katari dhe Turqia bënë marrëveshje me HTS-në për të lehtësuar daljen e Assad-it, thanë tre nga burimet, pavarësisht pretendimeve zyrtare nga të dyja vendet se nuk kishin kontakte me HTS-në, e cila është përcaktuar nga SHBA-ja dhe OKB-ja si një organizatë terroriste.

Moska gjithashtu u bashkërendua me shtetet fqinje për të siguruar se një aeroplan rus që largohej nga hapësira ajrore siriane me Assad-in në bord nuk do kapej apo shënjestrohej, thanë tre nga burimet.

Ministria e Jashtme e Katarit nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve në lidhje me largimin e Assad-it, ndërsa Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte HTS-në për koment. Një zyrtar i qeverisë turke tha se nuk kishte asnjë kërkesë ruse për të përdorur hapësirën ajrore turke për fluturimin e Assad-it, megjithëse nuk adresoi nëse Ankaraja ka punuar me HTS-në për të lehtësuar arratisjen.

Kryeministri i fundit i Assad-it, Mohammed Jalali, tha se ai foli me presidentin e tij të atëhershëm në telefon të shtunën mbrëma në orën 22:30.

“Në telefonatën tonë të fundit, i thashë atij se sa e vështirë ishte gjendja dhe se kishte një zhvendosje të madhe të njerëzve nga Homsi në drejtim të Latakias…se kishte panik dhe tmerr në rrugë,” tha ai për televizionin saudit Al Arabiya.

Ai m’u përgjigj: “Nesër do e shohim”, shtoi Jalali.

“Nesër, nesër, ishte gjëja e fundit që më tha”.

Jalali tha se ai u përpoq të telefononte përsëri Assad-in pasi zbardhi agimi të dielën, por nuk pati asnjë përgjigje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani