Ministri i Brendshëm Hoxha njoftoi se masakra me katër të vrarë në Dobraç të Shkodrës është zbardhur dhe shumë shpejt do dalin emrat e personave të përfshirë.
Në një deklaratë për mediat, ai tha se të gjitha ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura së fundi po hetohen nga policia dhe prokuroria dhe shumë shpejt do ketë rezultate të prekshme.
Lidhur me krimin e organizuar dhe luftën kundër narkotikëve, kohët e fundit kemi pasur disa raste dhe ngjarje kriminale me pasoja të rënda, përfshirë humbje jete. Policia, në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe SPAK, është duke hetuar të gjitha këto raste dhe ngjarje kriminale që kanë qenë shqetësuese për opinionin publik. Besoj se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete. Gjithashtu, janë zhvilluar kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë ato në Shkodër. Për emrat, besoj se duhet të presim deklaratat e Policisë së Shtetit, që do t’i bëjnë të ditura shumë shpejt. Unë besoj se shumë shpejt Policia e Shtetit do të publikojë deklarata konkrete për sa i përket emrave të përfshirë në ngjarjet në Dobraç.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 tetor 2024 ku pas të shtënave ndaj një makine tip Mercedes-Benz në rrugën e Dobraçit u vra Hamza Lici dhe u plagos rëndë Arlind Bushati, i cili ndërroi jetë më vonë në spitalin e Shkodrës.
Ndërkohë çifti i bashkëshortëve që po kalonin rastësisht me motor , Bashkim e Flutura Basha humbën jetën, i pari në spital ndërsa bashkëshortja në vendin e ngjarjes.