Plagosja me thikë e gjimnazistit në Fier, Manastirliu kërkon pezullim të drejtuesve të shkollës


Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, pas ngjarjes së ndodhur në gjimnazin e Cakranit në Fier, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave atje.

Manastirliu i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale të Fierit pezullimin e drejtuesve të shkollës dhe oficerit të sigurisë, deri në përfundim të verifikimit për zbatimin e protokolleve të sigurisë të ndjekura dhe në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje.

Në takim është diskutuar edhe marrja e masave shtesë për kontrollet fizike në çdo shkollë, dhe angazhimin e plotë të komisioneve të sigurisë në institucionet arsimore për zbatimin efektiv të protokolleve të sigurisë.

Sipas informacioneve nga Policia e Fierit, plagosja ka fillesën pas një debati të krijuar në rrjetin social Snapchat. Tensioni midis dy nxënësve 17-vjeçarë ka ndodhur në oborrin e shkollës, ku situata ka u përshkallëzua deri në përdorimin e një mjeti prerës nga njëri prej tyre.

Autori i dyshuar është identifikuar dhe shoqëruar nga policia për marrjen e dëshmisë dhe procedurat e mëtejshme ligjore. Ndërkohë, policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.