Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar qeverinë socialiste, duke theksuar se është fokusuar në favorizimin e një pakice të privilegjuar në kurriz të interesave të qytetarëve shqiptarë.
Sipas saj, ndërkohë që shumica e shqiptarëve përballen me çmime të larta, paga të pamjaftueshme dhe pensione minimale, qeveria po zgjeron hapësirat për abuzim përmes Ligjit të Investimeve Strategjike.
Tabaku ka denoncuar faktin se pasuria publike e vendit është shfrytëzuar në mënyrë klienteliste gjatë viteve të fundit, përmes dhënies së pronave publike me çmime simbolike te të ashtuquajturit “investitorë strategjikë.”
Ajo theksoi se tashmë po planifikohet edhe zgjatja e afatit të këtij ligji, duke e kthyer në një mjet të përhershëm për abuzime.
Deputetja e opozitës akuzoi qeverinë se po favorizon individët e lidhur me pushtetin, duke lejuar që brigjet e deteve, lumenjve dhe liqeneve të shfrytëzohen për interesa personale, në dëm të interesave të përbashkëta të qytetarëve shqiptarë. Tabaku përfundoi duke vënë në dukje se kjo është hera e tetë që afati i këtij ligji shtyhet, ndërsa projektligjet që mund të ndihmojnë shumicën e shqiptarëve mbeten të bllokuara ose të neglizhuara nga qeveria.
“Ndërsa shqiptarët luftojnë çdo ditë për të përballuar çmimet e rritura, pagat qesharake dhe pensionet që nuk mjaftojnë as për mbijetesë, mazhoranca socialiste është fokusuar në një dhe vetëm një qëllim: pasurimin e pakicës së privilegjuar prej 5% dhe klientëve të tyre të lidhur me pushtetin.
Pas 9 vitesh shkatërrimi të bregdetit me skema klienteliste, ku pasuritë publike janë dhënë për 1 euro tek të ashtuquajturit “investitorë strategjikë,” tani shtyjnë edhe më tej afatin e këtij ligji. Dhe më keq akoma: po planifikojnë që investitorët e tyre të privilegjuar të marrin në përdorim brigjet e deteve, lumenjve dhe liqeneve për interesat e tyre personale, duke anashkaluar plotësisht interesat e popullit shqiptar.
Ligji i Investimeve Strategjike, që duhej të ishte i përkohshëm, është kthyer në një mjet të përhershëm për abuzim. Kjo është hera e tetë që shtyhet afati i këtij ligji, ndërsa ligjet që do të ndihmonin 95% të shqiptarëve mbeten të bllokuara, të harruara në sirtar ose të refuzuara pa mëshirë”-shkruan Tabaku.