Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasin ukrainas Oleh Kulsha i cili dyshohet se trafikonte shtetas të huaj, kryesisht nga Ukraina në Shqipëri, për punë të kundërligjshme.
Sipas policisë ukrainasi bashkëpunonte me katër shtetas të tjerë të arrestuar më parë për të sjellë persona të tjerë në Shqipëri për të bërë punë të paligjshme.
“Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, kanë finalizuar me sukses një tjetër fazë të operacionit policor “TRANSNACIONAL”, i cili ka për qëllim goditjen e një rrjeti që trafikojnë qenie njerëzore dhe i shfrytëzojnë ato për veprimtari të paligjshme, ka vijuar me kapjen dhe ndalimin e një tjetër shtetasi të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë e mundur kapja dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit të huaj O. K., 24 vjeç, banues në qytetin Sumskaja, Ukrainë.
Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se ky shtetas, në bashkëpunim me 4 shtetas të tjerë, të arrestuar më herët në kuadër të operacionit “TRANSNACIONAL,” ka trafikuar shtetas nga vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, drejt Shqipërisë, me qëllim shfrytëzimin e tyre për punë të kundërligjshme.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.