Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli planifikon të dyfishojë popullsinë në Lartësitë Golan


Izraeli ka vendosur të dyfishojë popullsinë e tij në Lartësitë e pushtuara Golan, ndërsa tha se kërcënimet nga Siria mbeten, pavarësisht tonit të moderuar të krerëve rebelë që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad një javë më parë.

“Forcimi i Lartësive Golan forcon shtetin e Izraelit dhe është veçanërisht i rëndësishëm në këtë kohë. Ne do vijojmë ta mbajmë atë, ta bëjmë atë të lulëzojë dhe të vendosemi në të,” tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë.

Izraeli pushtoi pjesën më të madhe të rrafshnaltës strategjike nga Siria në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967, duke e aneksuar atë në 1981.

Në vitin 2019, presidenti i atëhershëm Donald Trump deklaroi mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan, por aneksimi nuk është njohur nga shumica e vendeve. Siria kërkon tërheqjen e Izraelit, por Izraeli kundërshton, duke përmendur shqetësimet e sigurisë. Përpjekje të ndryshme për paqen kanë dështuar.

Netanyahu tha se ai foli me Trump të shtunën për zhvillimet e sigurisë në Siri.

“Ne nuk kemi asnjë interes për një luftë me Sirinë”, tha Netanyahu në një deklaratë. Veprimet izraelite në Siri kishin për qëllim “të pengonin kërcënimet e mundshme nga Siria dhe të parandalonin afrimin e elementëve terroriste pranë kufirit tonë”, shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha në një deklaratë se zhvillimet e fundit në Siri rritën kërcënimin ndaj Izraelit, “pavarësisht përfytyrimit të moderuar që udhëheqësit rebelë pretendojnë të paraqesin”.

Forcat izraelite patrulluan të dielën brenda një zone të çmilitarizuar së fundmi përgjatë kufirit me Sirinë, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi planet për të dyfishuar numrin e izraelitëve.

Zyra e Netanyahut tha se qeveria miratoi njëzëri një plan prej më shumë se 40 milionë shekel (11 milionë dollarë) për të nxitur rritjen demografike në Lartësitë Golan.

Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan vendimin e Izraelit, me Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020 – duke e përshkruar atë si një “përpjekje të qëllimshme për të zgjeruar pushtimin”.

Rreth 31,000 izraelitë janë vendosur atje, tha analisti Avraham Levine i qendrës kërkimore “Alma”, i specializuar në sfidat e sigurisë të Izraelit në kufirin e tij verior. Shumë punojnë në bujqësi, duke përfshirë vreshtari dhe turizëm. Lartësia Golan është shtëpia e 24,000 druzëve, një pakicë arabe që praktikojnë një degë të Islamit, tha Levine. Shumica identifikohen si sirianë.