Ish-presidenti i Sirisë Bashar al-Assad ka folur për herë të parë që prej arratisjes nga Siria një javë më parë.
Në një letër të publikuar në Telegram, ai thotë se kurrë nuk kishte ndërmend të ikte në Rusi dhe se kur kryeqyteti Damask ra në duart e rebelëve, shkoi në bazën ushtarake ruse në provincën Latakia “për të mbikëqyrur operacionet luftarake”. Atje ai pa se trupat siriane kishin braktisur pozicionet.
Deklarata e raportuar e Assadit u postua në kanalin Telegram që i përket presidencës siriane të hënën, megjithëse nuk është e qartë se kush e kontrollon aktualisht apo nëse ai e ka shkruar atë.
“Baza Hmeimim ishte gjithashtu nën sulm të fortë nga sulmet me dronë dhe rusët vendosën ta transportonin atë në Moskë”, thotë ai.
Ai shton se “në asnjë çast gjatë këtyre ngjarjeve nuk kam menduar të tërhiqem apo të kërkoj strehim dhe as nuk është bërë një propozim i tillë nga ndonjë individ apo parti”.
“Largimi im nga Siria nuk ishte as i planifikuar dhe as nuk ndodhi gjatë orëve të fundit të betejës, siç kanë pretenduar disa. Përkundrazi, qëndrova në Damask, duke kryer detyrat e mia deri në orët e para të së dielës, 8 dhjetor 2024”, thuhet në deklaratën e llogarisë së Presidencës Siriane në Telegram.
Deklarata pretendon se Assad u zhvendos në bazën ajrore ruse në Hmeimim të Sirisë mëngjesin e së dielës, 8 dhjetor dhe Rusia i kërkoi atij të evakuohej kur baza u sulmua.
“Kur shteti bie në duart e terrorizmit dhe aftësia për të dhënë një kontribut kuptimplotë humbet, çdo pozicion bëhet i pavlefshëm”, shton deklarata.
Assad dhe familja e tij u larguan në Rusi pasi qytet pas qytet ra në duart e rebelëve të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) brenda një periudhe prej 11 ditësh.
HTS, grupi rebel më i fuqishëm i Sirisë, u krijua me një emër tjetër, Jabhat al-Nusra, në vitin 2011 dhe u zotua për besnikëri ndaj Al-Kaedës vitin e ardhshëm.
Al-Nusra ndërpreu lidhjet me al-Kaedën në vitin 2016 dhe më vonë mori emrin HTS kur u bashkua me fraksionet e tjera. Megjithatë, OKB, SHBA, Britania e Madhe dhe një numër vendesh të tjera vazhdojnë ta përcaktojnë atë si një grup terrorist.
Udhëheqësi i saj Ahmed al-Sharaa, i cili më parë përdorte emrin eluftës Abu Mohammed al-Jolani, ka premtuar tolerancë ndaj grupeve dhe komuniteteve të ndryshme fetare.