Kryeministri Rama tha sot se rritja ekonomike e vendit i jep qeverisë mundësinë të ketë një tjetër qasje lidhur me pensionet.
Gjatë një takimi me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës ai theksoi se po shihet mundësia që të ketë një rritje graduale të pensioneve përmes rritjes së fondit për to.
“Duke vënë në dispozicion të mbështetjes së tyre për fundvitin një shumë disa herë më të lartë sesa ajo e viteve të mëparshme. Them detyrimi i parë sepse e lidh me momentin e ri ekonomik të Shqipërisë ku rritja e ekonomisë dhe rritja e të ardhurave kanë hyrë në një stad të ri dhe na kanë hapur perspektivën e një qasjeje të re ndaj pensionistëve. Për ne do të jetë në dy drejtime njëra anë në rishpërndarjen e një pjese të të ardhurave të rritura nga rritja ekonomike tek pensionistët përmes bonuseve, duke filluar nga bonusi i fundvitit. Tradicionialisht ka qenë simbolik por më pas u rrit. Me një tjetër bonus që do të jepet në pranverë si rezultat i mundësive të rritura të ekonomisë. Ne duam të kthehet në një mundësi të vitpërvitshme. Ndërsa nga ana tjetër jemi në procesin e përgatitjes së një rritjeje të fondit të pensioneve qoftë duke rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore, por edhe duke rritur buxhetin në dispozcion të pensioneve. Besoj se për të gjithë ata që bëjnë llogari, shumë e qartë bëhet fjalë për një numër shumë të madh pensionistësh dhe shifra shumë të mëdha për buxhetin tonë. Kjo vlen edhe për vendet më të zhvilluara. Kur vjen puna tek pensionet kanë sfidë në vete dhe në çdo vend ky është debat i vazhdueshëm. Plani i rritjes graduale të pensioneve nuk do ishte diskutim që do bëhej. Sot ekonomia na e ka krijuar këtë mundësi.”
Rama ironizoi premtimet e bëra nga kreu i PD-së Berisha për pensionet teksa tha se janë si premtimet e Sudes.
“Policia e Shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti. Ata që vuajnë këtë pasojë dhe viktima të politikës qorre dhe papërgjegjshmërisë të atyre thonë do e bëjmë pensionin 500 euro, 1000 euro. Shesin qilima fluturues të Sudes. Pensionistët nga 2014 e sot me reformën e bërë janë trajtuar si të nënës. Përpara si të njerkës. Ky është dallimi. Shumë i dhimbshëm. Lexohet në të gjitha shifrat. Mjafton të shikosh kolonat. Para dhe pas 2014. Me diferencë ndryshe. Çdo pagë që rritet është lajm i mirë për fondin e pensioneve.” – shtoi Rama.