Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona dhe ka proceduar penalisht katër të tjerë, pasi u kapën në flagrancë duke shkarkuar inerte në vende të ndryshme.
Gjatë kontrolleve të ushtruara për të garantuar sigurinë dhe për të luftuar krimet mjedisore, blutë zbuluan aktivitet të paligjshëm në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
Shtetasit e arrestuar janë Q. L., 46 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për “Shpërdorimin e tokës” dhe “Pushtimin e tokës”.
A. R., 27 vjeç, dhe F. N., 59 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
Ndërsa katër shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Njoftimi:
Gjatë kontrolleve të territorit për garantimin sa më të sigurtë dhe të pacenuar nga krimet mjedisore, janë mbajtur në monitorimin e shërbimeve të Policisë, vende në të cilat dyshohej se kryhej aktivitet i paligjshëm në fushën e krimeve mjedisore.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, janë konstatuar duke transportuar e shkarkuar inerte dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
– Q. L., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga nenet 199 dhe 200 të Kodit Penal;
– A. R., 27 vjeç, F. N., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit L. M., 58 vjeç, F. H., 52 vjeç, P. V., 29 vjeç, dhe M. M., 40 vjeç.
Dokumentet e 6 automjeteve (kamionë) me të cilat janë konstatuar këta shtetas, janë bllokuar, ndërsa automjetet iu janë lënë në ruajtje pronarëve të tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.