Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Nuk ka gjë të re në deklaratën e SHBA-ve për Berishën, ai manipulon militantët për t’i mbajtur pranë vetes


Kreu i Partisë Demokratike, Demokratët Euroatlantikë Lulzim Basha komentoi në Report TV deklaratën e të ngarkuarës me punë të SHBA-ve të Tiranë e cila refuzoi bashkëpunimin me çdo person të shpallur non grata duke iu referuar kështu Sali Berishës.

Basha tha se deklarata nuk ka asgjë të re. Ai tha se Berisha po mashtron militantët për t’i mbajtur pranë vetes.

“Nuk ka asgjë të re. Ka të re vetëm për ata që vazhdojnë të manipulojnë, ose përpiqen të manipulojnë militantët për t’i mbajtur pas vetes, ndërkohë që vet Berisha e ka shprehur qartë se çfarë dëshiron të arrijë në këto zgjedhje. Kur ka hequr çdo shpresë për fitore, të paktën ka qenë i sinqertë kur ka thënë që “është ‘Makbethiane’ të fitosh me Edi Ramën”. Dhe kur ka vendosur të kthehet në mburojën e Edi Ramës. Pra, për çdo demokrat që ka pasur ndonjë fije shpresë apo ka mbajtur veten me gajret se me të vërtetë ato që deklaroheshin nga zoti Berisha do të bëheshin të vërteta. Kjo shpresë nuk ekziston më

Dhe kjo deklaratë e SHBA nuk është më asgjë tjetër vetëm vijim i qëndrimeve. Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që përveç problemeve të hapura me SHBA, zoti Berisha sapo ka mbyllur me bilanc negativ me veten e vet edhe gjyqin në Britaninë e Madhe. Pra, kjo strategji e mbajtjes në fokus të problematikës personale me shpresën se kjo do të zgjidhet, nuk është gjë tjetër veçse një efekt anësor i strategjisë që ai ka zgjedhur. Një strategji për të nënshtruar sa më shumë demokratë dhe opozitarë, interesave të tij personale, kauzës së tij personale. Kjo është tragjedia jo vetëm e opozitës, të PD, demokratëve dhe vendit sot. Edi Rama e ka mbushur kupën në çdo aspekt. Nuk ka pasur në këto 34 vite një qeveri më të inkriminuar, më të lidhur me krimin, më të kapur me krimin se ajo e tij.

Më të korruptuar dhe në dëm më të drejtpërdrejtë në ekonomitë familjare të shqiptarëve, tek fëmijët e shqiptarëve, tek shpresat e shqiptarëve për ndryshim. Dhe nga ana tjetër një pjesë e madhe e mediave që janë pjesë e ekosistemit Rama-Berisha, vazhdojnë merren nga mëngjesi deri në darkë me thagmat që këpusin këta ditë për ditë, e në veçanti zoti Berisha” – u shpreh Basha.