Vendosni fjalën kyçe....

Berisha non grata, Ambasada e SHBA-së: S’merremi me njerëz të përfshirë në korrupsion madhor


Ambasada amerikane ka reaguar pas deklaratave të Sali Berishës, i cili, pas fitores së Donald Trump, ka sugjeruar mundësinë e heqjes së statusit “non grata” për të.

Në një deklaratë të publikuar këtë të martë, e ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të vendosura në pozicionin e tyre për individëta e përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor.

Ajo nënvizoi se një opozitë e shëndetshme është pjesë e rëndësishme e një demokracie të gjallë dhe vlerësoi mundësitë e takimeve me përfaqësues të opozitës për të diskutuar sfidat dhe mundësitë për të ndihmuar Shqipërinë të ndërtojë një të ardhme më të mirë.

“Një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë. I vlerësoj mundësitë që kam pasur muajt e fundit për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të opozitës për të dëgjuar një larmi këndvështrimesh mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardhshëm zgjedhor dhe sesi Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë.

Nxis të gjitha palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë. Ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”, thuhet në një deklaratë nga e ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, e publikuar nga Ambasada amerikane në Tiranë.