Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku kritika socialistëve në Komisionin e Ekonomisë: Qasje selektive për faljen e gjobave


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ngriti shqetësime të forta mbi projektligjin e propozuar nga mazhoranca për faljen e gjobave, duke vënë theksin tek mungesa e analizës dhe trajtimi i pabarabartë i qytetarëve.

Tabaku vlerësoi çdo nismë ligjore që i shërben interesit publik, por kritikoi qasjen selektive të mazhorancës në përfshirjen e propozimeve:

“Më vjen mirë që propozimi i z. Braçe erdhi aq shpejt në axhendë, ndërkohë që opozita ka vite që propozon ligje dhe ato nuk diskutohen. Kam bërë një propozim ligjor që në fillim të tetorit dhe ende po pres që të duket në ndonjë axhendë. Shpresoj të kemi fatin tuaj, z. Braçe! “

Tabaku ngriti shqetësime mbi mungesën e një analize të detajuar për gjobat që synohen të falen, duke theksuar se qeveria nuk ka ofruar të dhëna të qarta mbi ndikimin ekonomik:

“A ka bërë qeveria shqiptare një analizë të plotë për gjobat e vendosura, për sa janë paguar dhe sa jo, si dhe ndikimin në buxhet? Si do të trajtohen ata qytetarë që i kanë paguar gjobat ndërkohë që të tjerët përfitojnë nga falja? Kjo është një çështje e rëndësishme për barazinë para ligjit .”

Sipas deputetes, ky projektligj, që fillimisht synonte ndërtimet në zonat rurale, ka përfshirë në mënyrë të papritur edhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Inspektoratin Shëndetësor, pa një relacion të qartë.

“Një ligj dinjitoz duhet të ketë një analizë të qartë mbi kategoritë që përfshin dhe ndikimin që ka. Kjo qasje gjysmake krijon hapësira për abuzime dhe trajtim të pabarabartë të qytetarëve, “ tha Tabaku.

Tabaku kritikoi gjithashtu përfshirjen e dy kategorive të reja – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektorati Shëndetësor – duke evidentuar mungesën e një analize të qartë:

“Qëllimi fillestar i projektligjit ishte ndërtimi në zonat rurale, ndërsa këto dy kategori janë shtuar në fund pa një relacion të qartë. Kjo krijon hapësira për abuzim dhe diskriminim,” tha ajo.

Deputetja e PD nuk la pa përmendur dhe situatën alarmante të gjobave të vendosura në mënyrë abuzive nga institucionet lokale, veçanërisht Bashkia e Tiranës:

“Ka institucione që po vendosin gjoba si kamzhik ndaj qytetarëve, si në rastin e Bashkisë së Tiranës, që bllokon llogaritë dhe vendos gjoba për parkimet në mënyrë abuzive. Ky është një problem që duhet adresuar urgjentisht.”

Ajo  bëri thirrje për përfshirjen e kategorive më të pambrojtura në këtë amnisti dhe për trajtimin e drejtë të tyre: “Falja duhet të jetë e drejtë dhe jo diskriminuese. Pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe bizneset e vogla që përballen me vështirësi financiare duhet të mbështeten. Nga ana tjetër, nuk mund të penalizojmë ata që kanë paguar gjobat, duke krijuar dy standarde për qytetarët shqiptarë. “