Vendosni fjalën kyçe....

Kosova dhe Serbia bien dakord për zbatim të plotë të deklaratës për personat e zhdukur


Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve të dyja vendeve ne të dërguarin e Bashkimit Evropian në Bruksel të martën.

Këtë e konfirmuan më 17 dhjetor shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë

Bislimi tha se Kosova dhe Serbia do ta kenë një komision të përbashkët, i cili do të fillojë të merret me këto çështje që nga janari.

“Tani mund të ecim tutje që gjatë muajit të ardhshëm të mbahet mbledhja e parë e komisionit të përbashkët. Ka premtime nga ana e Serbisë që nuk do të ketë tendenca që në të ardhmen puna e këtij komisioni të pengohet”, tha Bislimi.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.