Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria mbetet e fundit në Europë për konsumin për frymë, sipas Eurostat


Ndonëse pagat, sidomos në sektorin shtetëror po rriten vazhdimisht, me to mund të blesh më pak produkte, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të shtrenjtë, teksa çmimet janë si në Europë, apo dhe më shtrenjtë.

Eurostat ka publikuar sot treguesit për të ardhurat për frymë dhe konsumin individual për frymë të përditësuara për vitin 2023, ku Shqipëria mbetet e fundit në Europë për të dy treguesit. Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Në treguesin e konsumit individual për frymë (AIC), i cili mat fuqinë blerëse të mallrave e shërbimeve, Shqipëria renditet e fundit, me 41% të mesatares europiane, duke e ulur nga shifra e hershme që u publikua në qershor, kur treguesi ishte 42%, çka tregon për një rënie të fuqisë blerëse reale. Edhe në 2022, ky treguesi ishte 41%. Ky tregues është një pikë përqindje më i ulët se Bosnjë Hercegovina (në 2022 ishim në të njëjtat nivele). Nivelin më të lartë e ka Mali i Zi me 64% (nga 63% në 2022), e ndjekur nga Serbia me 55%, me rritje me 1 pikë përqindje dhe Maqedonia e Veriut me 49%, nga 50% në 2022.

Edhe në treguesin tjetër, atë të të ardhurave për frymë, Shqipëria është e fundit në Europë, me të ardhura sa 36% e mesatares së BE-së, në të njëjtin nivel me Bosnjë Hercegovinën.

Maqedonia e Veriut kishte të ardhura sa 41% e BE-së, njësoj me vitin e mëparshëm. Serbia e kishte këtë tregues 49%, nga 44% vitin e mëparshëm. Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 51%, nga 50% vitin e mëparshëm.

Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme.

Çmimet në Shqipëri sa vijnë e po shtrenjtohen në raport me mesataren e BE-së. Në vitin 2023 ato ishin sa 58% e mesatares europiane, nga 54% në 2021. Ato mbeten të dytat më të shtrenjtat në rajon pas Serbisë (59%) dhe shumë më të larta se në Maqedoninë e Veriut (48.7%).

Rritja ekonomike e nxitur kryesisht nga fluksi i lartë i ndërtimeve dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme, apo dhe numri i lartë i turistëve nuk duket që të jenë përmirësuar mirëqenien e shqiptarëve në dy vitet e fundit.

Gjatë vitit 2023, ekonomia shqiptare u rrit me 3.4%, duke u ngadalësuar në krahasim me zgjerimin prej 4.86% të 2022-t. Rreth gjysma e kësaj rritjeje erdhi nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që u zgjeruan përkatësisht me 9.7% dhe 11.3%. Duket se kjo rritje që po vjen nga ndërtimi nuk po arrin të përmirësojë mirëqenien e shqiptarëve, që vijojnë të mbeten më të varfrit e Europës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor