Pasi u shty për sot, seanca për mbarimin e mandatit të Holta Zaçajt në krye të Gjykatës Kushtetuese është shtyrë për në 23 dhjetor.
Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e kryetares Zaçaj për të paraqitur opinionin e saj mbi qëndrimin e kreut të Gjykatës së Lartë.
“Sot, më datë 17.12.2024, ora 13:00, u çel seanca për shqyrtimin e kërkesës së Kryetares së Gjykatës për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.
Gjykata konstatoi se gjyqtarja Holta Zaçaj, në datën 16.12.2024, është njohur me praktikën dokumentare të dërguar nga Gjykata e Lartë, ndërsa përpara seancës së ditës së sotme ka depozituar një kërkesë me shkrim, përmes të cilës ka kërkuar dhënien e një kohe të mjaftueshme për të paraqitur opinionin e saj në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Kryetari i Gjykatës së Lartë sa i përket parimeve kushtetuese dhe mënyrës së interpretimit të dispozitave kushtetuese të zbatueshme në rastin në shqyrtim.
Gjykata, pasi vlerësoi shkaqet e kësaj kërkese, vendosi që ta pranojë atë, duke i lënë kohë, sipas kërkesës, deri ditën e hënë, datë 23.12.2024, ora 10:00, për paraqitjen e një opinioni me shkrim. Për këto arsye, si dhe për t’i dhënë kohë të mjaftueshme edhe trupës për të studiuar paraprakisht opinionin, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e hënë, datë 23.12.2024, ora 13:00.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata e Lartë e konsideron të mbyllur mandatin e Zaçajt më 10 mars 2025 dhe ka shpallur pozicionin vakant duke nisur procedurat për zëvendësimin e saj.
Ndërsa Zaçaj pretendon se mandati i saj në jrye të Gjykatës Kushtetuese mbaron në fund të vitit 2025 dhe për këtë ka kërkuar opinion në Komisionin e Venecias.