U dënua gabimisht, gruaja në SHBA merr 34 milionë dollarë dëmshpërblim


Policia e Las Vegasit duhet të paguajë 34 milionë dollarë për një grua që u arrestua kur ishte ende adoleshente dhe u burgos për 16 vjet pasi u dënua gabimisht për vrasje.

Dy detektivë të policisë së Las Vegas-it tashmë në pension, Thomas Thowsen dhe James LaRochelle, duhet gjithashtu të paguajnë secili nga 10,000 dollarë për rolin e tyre në fabrikimin e provave në këtë rast, vendosi juria.

Në korrik 2001, Thowsen dhe LaRochelle akuzuan Kirstin Blaise Lobato, atëherë 18 vjeç, për vrasjen e Duran Bailey, një i pastrehë kufoma e të cilit u gjet e gjymtuar në perëndim të Las Vegas.

Detektivët thanë se Lobato pranoi vrasjen e Bailey-t kur u mor në pyetje. Por avokatët e Lobatos thanë se asaj nuk iu tha për hetimin e vrasjes dhe në vend të kësaj po përshkruante se si ajo përdori një thikë për të luftuar një burrë tjetër që u përpoq ta sulmonte seksualisht disa muaj më parë.

Asnjë provë fizike nuk e lidhte Lobaton me skenën e vdekjes së Bailey-t. Lobato gjithashtu kishte një alibi të mbështetur nga të dhënat telefonike dhe dëshmitarët. Dhe sulmi seksual që ajo tha se kishte kundwrshtuar përfundoi me arratisjen e sulmuesit të saj, u tha ajo detektivëve.

Por Thowsen dhe LaRochelle e trajtuan rrëfimin e Lobatos si një rrëfim për vrasjen e Bailey-t, dhe ajo u dënua përfundimisht për vrasje vullnetare në vitin 2006. Dënimi u hoq nga gjykata shtetërore e Nevadës në 2017 pas një shqyrtimi të provave mjeko-ligjore dhe Lobato u lirua nga burgu.

Lobato paditi Thowsen, LaRochelle dhe Departamentin e Policisë Metropolitane të Las Vegasit një vit më vonë.

Avokatët e Thowsen, LaRochelle dhe policia e Las Vegas nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment të dielën pasdite. Në komentet për mediat e tjera, avokatët e dy detektivëve thanë se ndoshta do apelonin.

Hollsitw e çështjes kundër Lobatos u kundwrshtuan që në fillim. Bailey u gjet i vdekur në korrik 2001 me plagë me thikë dhe penisin e këputur, sipas Las Vegas Review-Journal. Prokurorët thanë se Lobato e inkriminoi veten duke rrëfyer para disa dëshmitarëve se ajo i kishte prerë penisin një mashkulli duke shmangur një sulm seksual.

Një burrë tentoi të përdhunonte Lobaton në anën lindore të Las Vegasit në maj 2001, sipas padisë së saj të vitit 2019. Lobato luftoi sulmuesin e saj me thikë dhe e preu atë në “zonwn e poshtme”, ​​pas së cilës ai u arratis, thuhet në padi. Më vonë ajo u tregoi miqve dhe familjes për ngjarjen.

Mbrojtësi publik i Lobatos argumentoi gjatë gjyqit se deklaratat e saj në polici i referoheshin këtij sulmi dhe se ajo nuk e kishte takuar kurrë Bailey-n, sipas Review-Journal.

Lobato u dënua për vrasje të shkallës së parë dhe u dënua me 40 vjet burg. Në vitin 2004, Gjykata e Lartë e Nevadës e ndryshoi dënimin e saj pasi argumentoi se avokatët e saj nuk ishin në gjendje të merrnin në pyetje një dëshmitar. Më pas, ajo u paraburgos për një gjyq të ri dhe u dënua për vrasje vullnetare në vitin 2006.

Lobato, e cila e kaloi dekadën e ardhshme pas hekurave, mbajti pafajësinë e saj. Në vitin 2017, avokatët e bindën një gjyqtare që të lironte duke paraqitur dëshmi nga ekspertë të cilët vërtetuan, se koha e vdekjes së tij binte gjatë një ore kur Lobato kishte një alibi të konfirmuar.