Vendosni fjalën kyçe....

Pse Evropa s’po shkëputet ende prej zakonit të varësisë nga energjia ruse


Tre vjet më parë, Rusia ishte eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe Evropa ishte klienti kryesor i saj. Për krerët e kontinentit, pasja e mundësisë për të blerë gjithë atë energji të lirë ruse tejkalonte çdo dyshim për të bërë biznes me presidentin Putin.

Më pas Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës dhe kjo mbështetje dërrmuese te një furnizues i vetëm u duk papritur si një kërcënim për sigurinë ekonomike dhe politike të rajonit.

Frika se Putini do ndërpresë furnizimet e gazit, qymyrit dhe naftës si formë ndëshkimi për vendet evropiane për mbështetjen e Ukrainës, çoi në një përleshje të furishme në kërkim të burimeve alternative të energjisë. Ndryshimi u zyrtarizua nga sanksionet ndaj Moskës që synonin të pamundësonin financimin e makinerisë luftarake të Putinit.

Sot, krerët evropianë po përshëndesin një revolucion të furnizimit me energji. Shumë importues të gazit, naftës dhe qymyrit e hoqën Rusinë si furnitor në favor të burimeve alternative. Konsumatorët gjetën mënyra për të përdorur më pak energji, duke ulur kërkesën. Në fund, dritat nuk u fikën dhe shumica e fabrikave vijuan punën. Por evropianët tani po paguajnë më shumë për energjinë e tyre dhe disa nga industritë e saj më të uritura për energji po përpiqen të mbeten konkurruese globalisht.

Ajo për të cilën shumë nuk janë të vetëdijshëm, është se Rusia mbetet një nga furnizuesit më të rëndësishëm të energjisë së kontinentit dhe synimi i Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund varësisë së tij nga karburantet fosile ruse deri në vitin 2027 duket e vështirë për t’u arritur.

Si u lidh Evropa kaq shumë me energjinë ruse?

Filloi më shumë se gjysmë shekulli më parë. Bashkimi Sovjetik kishte nevojë për para dhe pajisje për të eksploruar fusha të stërmëdha gazi të sapo zbuluara në Siberi mes tensioneve me Kinën dhe SHBA-në. Gjermania Perëndimore po kërkonte energji të lirë për të mbështetur sektorin e saj të prodhimit me rritje të shpejtë.

Në vitin 1970, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Perëndimore nënshkruan një marrëveshje “tuba në këmbim të gazit” në të cilën fabrikat gjermane furnizuan mijëra kilometra tuba për të transportuar gazin rus në Evropën Perëndimore. Rrjedhjet e energjisë u rritën në mënyrë të qëndrueshme në dekadat në vijim derisa Gjermania zbuloi se po blinte më shumë se gjysmën e gazit të saj nga Rusia, së bashku me rreth një të tretën të të gjithë naftës së saj.

Gjermania dhe vendet e tjera evropiane filluan të zhvendosen te energjia e erës dhe diellit në vitet e fundit. Por gazi rus me tubacione mbeti një mundësi e përshtatshme dhe e përballueshme për të prodhuar energjinë bazë të nevojshme kur nuk kishte erë dhe diell për të prodhuar energji.

Një pajisje për prodhimin e energjisë nga era pranë Hagenit, Gjermania perëndimore

Si po e përdor Europa ende energjinë ruse?

Importet e lëndëve djegëse fosile ruse në Bashkimin Evropian qëndruan në rreth 1 miliard dollarë në muaj në fund të vitit 2023, nga niveli më i lartë prej 16 miliardë dollarësh në muaj në fillim të vitit 2022, sipas institutit të mendimit Bruegel në Bruksel.

Shumica e atyre importeve të mbetura ishin gaz natyror. Rusia ende përbënte 15% të importeve të përgjithshme të gazit të BE-së në vitin 2023, pas Norvegjisë dhe SHBA-së me 30% dhe 19% përkatësish, dhe përpara vendeve të Afrikës së Veriut me 14%, sipas të dhënave nga Komisioni Evropian.

Pjesa më e madhe e këtij gazi rus arrin në tubacionet që kalojnë në Ukrainë dhe Turqi. Ndër blerësit më të mëdhenj janë Austria, Sllovakia dhe Hungaria, ekonomitë e të cilave varen shumë nga karburanti.

Konsumatorët e mëdhenj të energjisë, duke përfshirë Spanjën, Francën, Belgjikën dhe Holandën, janë gjithashtu ende duke importuar gaz natyror të lëngshëm rus në cisterna. Një pjesë e tij përfundon duke u përzier me burime të tjera të gazit në rrjetin e tubacioneve të Evropës, që do të thotë se potencialisht shkon në Gjermani, pavarësisht premtimit të Berlinit për të shmangur gazin rus.

Pse nuk anulohen të gjitha kontratat e gazit rus?

Klientët evropianë të Rusisë shpesh ishin zotuar në kontrata afatgjata me shumë kushte, nga të cilat nuk ishte e lehtë të dilje.

Dhe ndryshimi mund të jetë i kushtueshëm pasi furnizimet e disponueshme në tregun global të gazit pritet të mbeten të pamjaftueshme për të paktën një vit tjetër, derisa të shfaqet një valë e re e furnizimit nga vendet eksportuese si SHBA-ja dhe Katari. Një pjesë e mirë e gazit të disponueshëm për import në Evropë po thithet nga vendet që kanë mbyllur termocentralet e tyre me qymyr dhe ato bërthamore vitet e fundit.

Blerësit kryesorë, përfshirë Sllovakinë dhe Hungarinë, kanë thënë se po kërkojnë burime alternative. Por industritë në këto vende pa dalje në det u ndërtuan për të përdorur energji nga lindja dhe do paguanin më shumë nëse do blinin gaz jorus që mbërrin në terminalet e reja të gazit të lëngshëm që po ndërtohen në Evropën Perëndimore.

Kompanitë e mëdha nga këto vende po bëjnë presion për një marrëveshje që do lejojë vijimin e tranzitit të gazit përmes Ukrainës në vitin 2025, pas skadimit të marrëveshjes në fuqi mes Moskës dhe Kievit. Bisedimet kanë vijuar prej muajsh, me blerësit që së fundmi kanë shtuar presionin dhe diskutimet janë shtuar.

Nuk ka asnjë ndalim në mbarë Evropën për gazin rus tani për tani, megjithëse disa vende si Britania e Madhe, Gjermania dhe shtetet baltike vendosën të ndalojnë importet e karburantit. Disa nga klientët më të mëdhenj dhe më të vjetër të gjigantit shtetëror rus të gazit Gazprom, si kompania gjermane Uniper SE dhe firma austriake e energjisë OMV AG, kanë ndërprerë kontratat e tyre.

Korporata të tjera të mëdha evropiane kanë ende investime të vjetra në energjinë ruse, të cilat kanë ngurruar t’i braktisin. TotalEnergies SE e Francës mbetet aksionere në projektin gjigant Yamal LNG në Arktik të Rusisë. Ndërmarrja spanjolle Naturgy Energy Group SA ka një kontratë 20-vjeçare për të blerë karburant të lëngshëm nga Yamal deri në vitin 2038.

Si po e gjen rrugën energjia ruse?

Importet e naftës së papërpunuar ruse me tubacione dhe dërgesat tokësore të disa prodhimeve të pasanksionuara të naftës kanë vijuar, megjithëse në vëllime shumë më të vogla se më parë. Nuk ka ende asnjë ndalim për prodhimet e naftës të prodhuara në rafineritë jashtë Evropës duke përdorur naftën ruse, si në Turqi. Shitjet nga ato rafineri në BE i sollën Rusisë rreth 1.1 miliardë euro (1.2 miliardë dollarë) të ardhura tatimore në vitin 2023, sipas Global Witness.

Ka të ngjarë që një pjesë e naftës bruto ruse të gjejë rrugën e saj drejt Evropës pasi është blerë nga ndërmjetës në vende të tjera dhe e përzier me furnizime nga origjina të tjera.

Gjurmimi i naftës së papërpunuar ruse dhe gazit të lëngshëm në destinacionin e saj është bërë më i vështirë që kur Moska vendosi një “flotë hije” të madhe cisternë për të shmangur ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare.

Një pjesë e “flotës hije” është sanksionuar nga Britania e Madhe, BE-ja dhe aleatët e tyre, dhe nuk ka prova të dërgesave direkte në Evropë. Por është e vështirë të mbikëqyrësh të gjitha rishitjet në të gjithë globin.

Si është gjendja tani?

Rusia përbënte më pak se 10% të konsumit të gazit të Evropës në vitin 2023, nga më shumë se një e treta para vitit 2022. Norvegjia ka zëvendësuar Rusinë si ofruesi më i madh i kontinentit të gazit përmes tubacioneve. Falë pjesërisht objekteve të reja të ndërtuara për shkarkimin e gazit të lëngshëm nga vendet alternative eksportuese, SHBA-ja është bërë furnizuesi kryesor i Evropës i karburantit të lëngshëm.

Një anije kthehet në një terminal në Portin Lubmin, i hapur në 2022 posaçërisht për importimin e gazit të lëngshëm në Gjermani

Për më tepër, Evropa ka konsumuar më pak lëndë djegëse fosile, pjesërisht për shkak se disa industri që përballen me faturat e larta të energjisë kanë shkurtuar prodhimin ose janë zhvendosur në prodhimin e mallrave me më pak energji, dhe gjithashtu për shkak të kursimeve të energjisë dhe instalimeve rekord të energjisë së rinovueshme.

Kriza e vitit 2022 i bëri qeveritë evropiane më të vendosura për të përshpejtuar kalimin drejt energjisë më të pastër. Si rezultat, prodhimi i energjisë nga gazi dhe qymyri ka rënë në sasi rekord, sipas firmës kërkimore të energjisë me qendër në Londër, Ember.

Në vitin 2023, era për herë të parë prodhoi më shumë energji sesa gazi. Kërkesa evropiane për gaz ishte 20% nën mesataren e para krizës në periudhën janar-gusht, sipas UBS Group AG.

Si po përballet Evropa me çmimet më të larta të energjisë?

Çmimet e energjisë u rritën në vitin 2022, herë pas here më shumë se 20 herë krahasuar me normat e tyre historike. Disa fabrika evropiane u detyruan të mbyllnin punën ose të pakësonin prodhimin dhe shumë biznese të vogla u mbyllën.

Çmimet kanë rënë që atëherë, por mbeten mbi nivelet e para krizës, duke i bërë industritë më të uritura për energji të Evropës më pak konkurruese. Ndërsa kërkesa e ulët jashtë vendit është tani sfida kryesore për shumë prodhues gjermanë, energjia e kushtueshme mbetet një arsye pse kompani të tilla si Volkswagen AG dhe BASF SE po përballen me vështirësi.

Familjet e goditura nga rritja e faturave të energjisë kanë gjetur mënyra për të ulur konsumin e tyre. Por për shumë njerëz, kostoja shtesë po shkakton vështirësi të vërteta. Pothuajse 11% e qytetarëve të BE-së nuk ishin në gjendje t’i mbanin shtëpitë e tyre mjaftueshëm të ngrohta në vitin 2023, sipas Komisionit Evropian.

VINI RE: Ky  material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani