Për më shumë se një vit, Rusia është mbështetur tek aleati i saj gjithnjë e më i ngushtë Koreja e Veriut për furnizime me predha artilerie dhe raketa balistike për të përballuar një luftë të vështirë në Ukrainë.
Në tetor, partneriteti hyri në një fazë të re pasi Pheniani dërgoi mijëra ushtarë për të forcuar forcat e armatosura të Rusisë. Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë përshkruar paraqitjen e tyre në fushën e betejës si një përshkallëzim të madh nga Moska.
Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut premtoi se vendi i saj do qëndrojë me Rusinë deri në “ditën e fitores”.
Për sa trupa të Koresë së Veriut bëhet fjalë?
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Mattheë Miller tha më 4 nëntor se rreth 10,000 trupa të Koresë së Veriut ndodheshin në rajonin Kursk të Rusisë në kufi me Ukrainën. Ata kanë ndihmuar forcat ruse të përpiqen të largojnë forcat e Kievit nga pjesë të rajonit që ata pushtuan në gusht në një sulm të befasishëm. Kremlini u dha koreano-veriorëve dokumente të rreme identiteti për t’i bërë ata të duken se ishin rusë, tha shërbimi inteligjent i Koresë së Jugut.
Forca e ushtarëve të Koresë së Veriut
Koreja e Veriut ka 1.28 milionë personel aktiv ushtarak, me 1.1 milionë prej tyre në ushtri, sipas vlerësimeve të Koresë së Jugut. Ata rrallë janë provuar në fushën e betejës që kur luftimet në Luftën Koreane përfunduan më shumë se 70 vjet më parë. Pjesa më e madhe e trupave të Koresë së Veriut mbështetet në “pajisje gjithnjë e më të vjetruara” që datojnë që nga ditët e Bashkimit Sovjetik, tha Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në rishikimin e tij të vitit 2023 të ushtrive të botës.
Disa qindra trupa të Koresë së Veriut janë vrarë ose plagosur në përleshjet me forcat ukrainase, thanë zyrtarët amerikanë më 18 dhjetor, pa dhënë numra specifikë. Inteligjenca ushtarake ukrainase raportoi se të paktën 30 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë në sulmet në tre fshatra në Kursk.
Megjithatë, koreano-veriorët duket se janë bërë një pasuri e rëndësishme në fushatën e Rusisë. Në mesin e dhjetorit, një numër i madh i trupave të Koresë së Veriut që vepronin me mbështetje zjarri nga ushtria ruse sulmuan dy brigada sulmuese ukrainase të vendosura pranë një qyteti të pushtuar në rajonin e Kurskut, sipas vëzhguesit të shquar ushtarak ukrainas Yury Butusov.
Çfarë përfiton Koreja e Veriut?
Në këmbim të armëve që i ka dërguar tashmë Rusisë, regjimi i udhëheqësit Kim Jong Un ka marrë ndihmë që ka mbështetur ekonominë e Koresë së Veriut dhe ka çuar përpara programet e saj të armëve, sipas SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Si shpërblim për dërgimin e trupave, Kim ndoshta mund të llogarisë në marrjen e më shumë ndihme më tej. Ligjvënësit e Koresë së Jugut të informuar nga agjencia e spiunazhit të vendit thanë se Rusia pritet të japë përfitime ekonomike në këmbim.
Koreja e Veriut deri më tani i ka dërguar Rusisë armë me vlerë deri në 5.5 miliardë dollarë, sipas një studimi nga Fondacioni Friedrich Naumann i publikuar në tetor, i cili nuk ka marrë parasysh ndihmën për dërgimin e ushtarëve. Kjo shifër për transfertat e municioneve është e barabartë me rreth një të pestën e produktit të brendshëm bruto vjetor të Koresë së Veriut, dhe nëse Putini do e paguante atë shumë – qoftë në para apo mallra – kjo do përfaqësonte nxitjen më të madhe për ekonominë e Koresë së Veriut që kur Kim mori pushtetin më shumë se një dekadë më parë.
Për më tepër, vendosja e trupave në Ukrainë i jep Koresë së Veriut një mundësi për të testuar strategjitë dhe pajisjet e saj ushtarake kundër një luftëtari që përdor armë të ngjashme me ato të dislokuara nga armiku i saj, Koreja e Jugut. Që nga përfundimi i Luftës Koreane në vitin 1953, Koreja e Veriut rrallëherë ka dërguar trupat e saj jashtë vendit.
Në rastet kur ka bërë, ajo përgjithësisht dërgonte forca të vogla, për shembull kur dërgoi rreth 3,000 ushtarë në Angola për të marrë pjesë në luftën e saj civile në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980. Regjimi i Kim dërgoi rreth 800 personel ushtarak dhe punëtorë për të ndihmuar qeverinë e Sirisë në vitin 2019, sipas shërbimit të specializuar të lajmeve NK Neës me bazë në Seul, duke cituar një dokument të Kombeve të Bashkuara. Koreja e Veriut gjithashtu kreu misione të kufizuara fluturimi gjatë Luftës së Vietnamit për të ndihmuar në luftën kundër forcave amerikane dhe vietnamezëve të jugut.
Gjenerali Charles Flynn, kreu i Ushtrisë Amerikane në Paqësor, ngriti shqetësime rreth perspektivës që ushtria e Koresë së Veriut të përfitojë nga luftimet në Ukrainë.
Flynn tha në prill se përdorimi i raketave të Koresë së Veriut nga Rusia po i jep Phenianit një mundësi të rrallë për të provuar armët e tij në luftim dhe ndoshta për të përmirësuar paraqitjen e tyre.
Çfarë përfiton Rusia?
Më shumë ushtarë në terren në një luftë ku Moska ka pësuar viktima të mëdha. Çdo mobilizim i ri në Rusi do ishte thellësisht jopopullor.
Ndërsa demokracitë kryesore punonin për të izoluar Kim dhe Putin për lëvizje ushtarake që shiheshin si kërcënuese për sigurinë globale, të dy iu drejtuan njëri-tjetrit për ndihmë. Koreja e Veriut ka depo të mëdha municionesh që punojnë me pajisje ruse dhe Rusia ka ushqim, energji dhe lëndë të para për të cilat Koreja e Veriut ka shumë nevojë. Kur Putin vizitoi Kim-in në Phenian në qershor, të dy arritën një marrëveshje për t’i dalë në mbrojtje njëri-tjetrit nëse ndonjëri sulmohej ndonjëherë, në një shfaqje sfide kundër SHBA-së dhe partnerëve të saj dhe sanksioneve që ata kanë vendosur.
“Koreja e Veriut e siguron Rusinë se do jetë gjithmonë me shokët rusë deri në ditën e fitores,” tha Ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut Choe Son Hui më 1 nëntor kur takoi ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov në Rusi.
Çfarë rrezikon Koreja e Veriut
Asnjë udhëheqës i Koresë së Veriut nuk është përballur ndonjëherë me një gjendje në të cilën trupat e vendit pësojnë viktima të mëdha duke luftuar në një luftë jashtë vendit. Një nga politikat udhëzuese të Koresë së Veriut është vendosja e ushtrisë së pari. Forcat e armatosura përshkojnë pothuajse të gjitha aspektet e shoqërisë. Nëse numri i koreano-veriorëve të vrarë ose të plagosur në Ukrainë do rritet, Kim mund të përballet me një problem të rrallë nga ushtria që mbështet autoritetin e tij.
Ai do rrezikonte gjithashtu të ngjallte pakënaqësi mes qytetarëve të vendit, për të cilët është normë të kenë lidhje personale me forcat e armatosura. Një shqetësim më shumë është se disa trupa mund të zgjedhin të dezertojnë në vend që të luftojnë.
Miqësia e lulëzuar midis Kim dhe Putin mund të irritojë gjithashtu mbështetësin më të madh tradicional të Koresë së Veriut, Kinën.
Presidenti kinez Xi Jinping po përpiqet të përmirësojë lidhjet me SHBA-në dhe aleatët e saj dhe ka parashikuar një qëndrim asnjanës mbi luftën në Ukrainë. Partneriteti Kim-Putin potencialisht e minon atë përpjekje. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se zyrtarët amerikanë i kishin kërkuar Pekinit të përdorte ndikimin e tij për të “frenuar këto veprimtari” gjatë bisedimeve “të rëndësishme”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BNNBloomberg
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani