Kalimi i stadiumit “Selman Stërmasi” te Korporata Shqiptare e Investimeve për t’u zhvilluar sipas një modeli në bashkëpunim me privatin është tashmë fakt.
Vendimi i miratuar nga qeveria këtë javë është publikuar në Fletoren Zyrtare duke hyrë kështu në fuqi dhe duke u hapur rrugë procedurave të tjera që lidhen me zhvillimin e kësaj prone.
Ky vendim shoqërohet tashmë edhe me shtojcat për pronat konkrete që kalojnë për këtë projekt, të cilat pjesa më e madhe janë në pronësi shtetërore dhe dy prej tyre në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Janë të paktën 13 numra pasurish të përfshira në dy shtojca specifike që përfshijnë disa dhjetëra mijë m3 sipërfaqe.
Referuar vendimit, Korporata Shqiptare e Investimeve autorizohet që vetë apo përmes një entiteti të krijuar prej saj të veprojë si zhvillues i këtyre pronave.
Institucionet e përfshira në këtë proces duhet që brenda 30 ditëve tashmë të lidhin marrëveshje së bashku për të përcaktuar termat dhe aspektet sesi do të vijohet me zhvillimin e pronës në bashkëpunim me privatin.
“Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet e përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, autoritetit në pronësi apo në përgjegjësi administrimi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore” thuhet në vendim.
I njëjti vendim parashikon që Korporata të hapë procedurën konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.
“Autorizohet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që në të njëjtën procedurë, të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore. Shpenzimet për shërbimet e parashikuara në këtë pikë mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare” thuhet në dokument.
Vetëm pak muaj më parë njëlloj si rijetëzimi i stadiumit qeveria vendosi zhvillimin e disa projekteve të cilat do të jenë në bashkëpunim me privatin dhe në kthim do të përfitohen ambiente zyrash për institucionet të cilat zotëronin këto prona. Raste të tilla janë zhvillimi i projektit tek Hipoteka apo një tjetër afër ATSH-së.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor