Qytetarë, prindërit e nxënësve e ata të 14-vjeçarit Martin Cani u tubuan sot para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar dorëheqjen e Manastirliut.
Ata e nisën tubimin para shkollës “Fan Noli”, pranë së cilës pak ditë më parë, 14-vjvçari u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj.
Pas mbërritjes para Ministrisë së Arsimit, e ëma e 14-vjeçarit kërkoj drejtësi dhe dorëhqjen e të gjithë përgjegjësve për ngjarjen.
Nëna e Martin Canit tha se nuk ishte njoftuar nga shkolla për grindjen që kishin pasur fëmijët në shkollë dhe se ngjarja mund të ishte parandaluar.
“Kam rritur e edukuar një fëmijë, kam punuar vetë në arsim. E kam rritur me vuajtje, por ma morën, ia morën ëndrrat, me morën jetën e shpresat. Kërkoj të japin dorëheqjen ata që nuk e mbrojtën Martinin, që nga dera e shkollës e deri tek ministrja Manastirliu dhe kryeministri Rama. Martini nuk u vra pasdite apo në orarin kur kishte mbaruar puna. Ndryshe do ishte përgjegjësia ime. Martini ishte një fëmijë shumë i sjellshëm, Dua drejtësi dhe vetëm drejtësi! Më parë isha mësuese në fshat dhe i ndiqnim fëmijët me sy deri në momentin që iknin nëpër rrugica. Ne nuk na njoftuan kurrë. Nuk më dha askush një sinjal, nëse do ta dija do kisha marrë masa. Unë e njoh shumë fëmijën tim. Nuk e dija kush ishte autori, kur mora vesh që ishin bashkëmoshatarë nuk fola asnjë fjalë sepse janë fëmijë. Por prindërit e tij duhet të reagonin duhet të thonin kemi të njejtën dhimbje si ju. Për autorin nuk dua të them gjë, ai ishte fëmijë si fëmija ime. Por kjo mund të parandalohej, Dua dorëheqjen e të gjithë atyre që nuk më njoftuar, mësuesja kujdestare nuk më njoftoi që kishin grindje. Dua drejtësi për Martinin dhe Luisin. Falë zotit që ma fali Lusin sepse ai është edhe fëmija im tani.” – tha nëna e Martin Canit.