Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi akuzon PS: Jeni në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit


Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën qeverisëse dhe kryeparlamentaren Elisa Spiropali për shkelje të Kushtetutës dhe procedurës parlamentare, duke i referuar projektligjit për faljen e gjobave.

Sipas Bardhit, ky projektligj po kalon me një procedurë të përshpejtuar dhe pa konsultime të duhura, duke shkelur afatet dhe rregulloret e Kuvendit.

Ai theksoi se ky ligj ka efekte financiare dhe kërkonte një miratim të Këshillit të Ministrave, çka e bën të antikushtetues. 

Bardhi apeloi që Kuvendi të respektojë Kushtetutën dhe rregullat e procedurës për të siguruar një diskutim të thelluar dhe transparent.

“Shqyrtimi i projektligjeve nuk mund të kalojë të paktën 2 javë nga momenti i propozimit, përveç rasteve të veçanta ku parashikon rregullorja. Pra duhet data 19 apo 20 ditë për të nisur shqyrtimi.

Përveçse në procedura të përshpejtuara. Afatet janë dhënë që diskutimet të jenë sa më reale, deputetët të japin idetë e veta. Të kemi mundësi të thërrasim grupet e interesit, për ta bërë ligjin siç duhet.

Je në shkelje të kushtetutës, është ligj me efekte financiare, është vendim i Këshillit të Ministrave, pa pasur vendim me firmë të Këshilllit të Ministrave, është shkelje e procedurës dhe e bën antikushtetues këtë projektligj.

Së paku sa i takon procedurës parlamentare të procesimit të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Propozime që janë në dobi të qytetarëve që do e prezantojmë kur të vijë momenti”, tha ai.

Më tej ai apeloi që t’i qëndrohej rregullores dhe Kushtetutës.

“Detyra e Kuvendit është t’i qëndrojë strikt Kushtetutës dhe procedurës parlamentare. Keni shkelur çdo procedurë parlamentare me ligjin e faljes se gjobave.

Nuk ka asnjë vendim të seancës plenare për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar këtë ligj. Ju e keni fut në shkelje të rregullores. Afatet nuk janë vendosur kot, afatet janë vendosur që diskutimi të jetë real.

Jeni në shkelje të Kushtetutës, është ligj me efekte financiare  dhe do duhej të kishte mendim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sa i takon thelbit të ligjit ne kemi bërë propozime reale”, tha ligjvënësi.