Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Rama po pengon SPAK, qeveria më e korruptuar në Ballkan


Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë e Edi Ramës për përpjekje të vazhdueshme për të penguar punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Në një deklaratë për mediat në oborrin e Kuvendit, Basha theksoi se retorika mbështetëse e qeverisë për SPAK është vetëm një “shoë”, ndërsa veprimet reale të qeveritarëve janë të orientuara për të minuar funksionimin e kësaj strukture të drejtësisë.

Basha kritikoi bllokimin e propozimeve të opozitës që do të mundësonin forcimin e SPAK, duke shtuar se kjo vjen si pasojë e korrupsionit të thellë të qeverisë. Ai theksoi se përpjekjet e qeverisë për të penguar SPAK janë të qarta dhe se Edi Rama, së bashku me zyrtarët e tjerë, ka krijuar një sistem ku korrupsioni është bërë pjesë integrale e marrëdhënieve mes politikës, oligarkisë dhe krimit të organizuar.

“E kësaj qeverie e cila ndodhet nën ankthin e aferave të shumta korruptive, se fjalët i merr era. Se pas fjalëve gjoja mbështetje ndaj SPAK, fshihet veprimtaria e qëlllimtë e ditë për ditshme, e natë përnatshme e kryeministrit të vendit, e zëvendëskryeministres së vendit, e kryetarit të bashkisë së  Tiranës, e ministrave dhe ish-ministrave të Edi Ramës, për të penguar me çdo kusht dhe me çdo çmim punën e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion. Tashmë është e qartë si nga Brukseli dhe nga Uashingtoni, qeveria e Shqipërisë është qeveria më e korruptuar në Balllkan. Tashmë që çdo raport tregon me gisht Edi Ramën si arkitektin e një sistemi ku korrupsioni është kthyer në bitkoinin kryesor të marrëdhënieve mes politikës, oligarkisë dhe krimit të organizuar, është e qartë që SPAK me gjithë përkushtimin e tij në luftë kundër korrupsionit, përbën kërcënim jetik jo thjesht për pushtetin por edhe për përballjen e Edi Ramës me drejtësinë.

Por kjo nuk mund të jetë kurrsesi një realitet në një vend ku shumica dërrmuese e shqiptarëve, siç tregohet studim pas studimi, mbështesin SPAK sepse duan t’i japin fund jo thjesht aferave korruptive që i kanë marrë frymën ekonomisë, që kanë shkatërruar familjet shqiptare, që kanë vënë në rrezik të ardhmen e fëmijëve shqiptarë, por edhe pse duan pas 34 vitesh tranzicioni në dukje të pafund, t’i japin fund korrupsionit dhe t’i japin fund aferave të pushtetarëve dhe një pseudodrejtësie që të mbronte në vend që të godiste të korruptuarit shqiptarë duke krijuar kulturën e pandëshkueshmërisë.

Prandaj dua ta them edhe njëherë fare qartë se teatri me mbështetje me fjalë bëhet për të mbuluar të vërtetën dhe e vërteta është siç e tregon edhe bllokimi një vjeçar edhe i propozimeve tona në ndihmë të SPAK, se Edi Rama dhe qeveria e tij janë në një kurs përplasjesh dhe konflikti interesi me SPAK.

Nuk ka asnjë arsye tjetër se pse këto amendamente, në kundërshtim total me çdo praktikë parlamentare nuk futen në rendin e ditës, nuk çohen në komisionin e ligjeve, nuk diskutohen. Sepse diskutimi i tyre do t’i nxirrte zbuluar” – u shpreh Basha.