Vendosni fjalën kyçe....

Debate në Kuvend, Shehaj: Balluku ka 6 muaj që shmang interpelancën, 1.3 mld euro Thumanë-Kashar, skandal


Deputeti i PD-së, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, për shmangien e interpelancës lidhur me rrugën Thumanë-Kashar, që ai e cilësoi si një nga aferat më të mëdha të qeverisjes së pas ’90-ës.

Shehaj theksoi se kërkesa e tij për një interpelancë është shpërfillur për më shumë se gjashtë muaj, ndërkohë që ende nuk është realizuar.

Ai e quajti rrugën 20 km të gjatë një aferë të jashtëzakonshme, duke theksuar se kontrata për këtë projekt është zgjatur nga 10 në 35 vjet, duke arritur vlerën 1.3 miliardë euro.

Në fjalën e tij në Kuvend, Shehaj kërkoi që Balluku të paraqitet dhe të japë llogari për këtë projekt, duke e quajtur atë një abuzim të madh me paratë e qytetarëve. 

 Kanë kaluar të paktën 6 muaj siç e dini, në lidhje me interpelancën që kam kërkuar me ministren Ballukun dhe përsëri nuk po ndodh, po ndodhin të tjera dhe kjo jo, nuk keni kohë ta vendosni. Vendoseni vetë datën, por duhet të jepni llogari për një nga aferat më të mëdha në këto 30 vjet, jo në vitet tuaja të qeverisjes, se ju keni vendosur rekorde të jashtëzakonshme.

Rekord i që keni vendosur me rrugën Thumanë-Kashar, 20 km, ku e kaluar nga një kontratë 10 vjeçare, në 35 vjeçare, janë 1.3 mld euro, kjo është një aferë e jashtëzakonshme për të cilën duhet të vini këtu dhe të jepni llogari.

Nuk mund të fshiheni, përgjigjet ministrja me një arrogancë të jashtëzakonshme. Kishte reaguar me një çarçaf sharjesh dhe ofendimesh, vetëm me miliardat nuk ishte marrë që keni vjedhur, duhet të jepni llogari. U njoftova se ministrja nuk vinte dot këtë javë, ku shoh dje një postim, ishte te festa e PS duke hedhur valle. Në vend që të vijë këtu të jap llogari, hedh valle me militantët e PS për festa.

Ky është skandal! Vini thoni s’ka lekë për pensionet, arsimin, etj., thoni s’ka para, por ka për festat e PS-së paska para. Kur vjen puna për të diskutuar sa kanë kushtuar 20km rrugë pse ikni, pse e shmangni. Interpelanca duhet të bëhet sepse keni vjedhur paratë e qytetarëve. Mund të na thoni kur do bëhet, apo është e paprekshme këtu ministrja Balluku”,- u shpreh ai.