Vendosni fjalën kyçe....

Interpelanca me Kumbaron, Zhupa: Po betonizoni zonat e mbrojtura, qofteri në Butrint


Në një interpelancë të zhvilluar në Kuvend, deputetja e PD, Ina Zhupa, ka akuzuar ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe qeverinë se po betonizojnë zonat e mbrojtura duke favorizuar investitorët strategjikë, të cilët sipas saj janë klientë të pushtetit dhe gaztorë të oborrit.

Zhupa theksoi se Kumbaro ka vepruar për t’i hapur rrugën shkatërrimit të këtyre zonave, duke i dhënë investitorëve mundësinë për të ndërtuar në to.

Zhupa përmendi disa nga zonat që janë përfshirë në këtë projekt, duke përfshirë bregdetin, lumenjtë, liqenet dhe shumë zona të mbrojtura si Vjosa, Narta, Velipoja, Divjakë, Karavasta dhe Kune. 

“Ligj klientelist ai i zonave të mbrojtura. Kumbaro ministrja më jetëgjatë, sepse është edhe më duargjata. I hapi rrugë shkatërrimit të Teatrit Kombëtar.

Ishte ajo që hapi qofterinë e parë në Butrint dhe bëri marrëveshjen me ADF për Butrintin dhe bëri betonizimin. Bëri heqjen e pikave të mbrojtjes së zonave dhe hapi rrugën për betonime. Po shtyni për të pestën herë afatin e ligjit për investimet strategjike.

E bëri se me ligjin e përkohshëm të vitit 2018, që e keni shtyrë 4 herë dhe po e bëni për të pestën herë, keni dhënë 5,8 mln metër katrorë tokë në gjithë vendin investitorëve strategjike.

Ju jeni terroristë mjedisorë. Pasi e keni mbaruar gjithë tokën publike që mund t’i jepni investitorëve strategjikë, tani po planifikoni hyrjen në zonat e mbrojtura, ku i përfshirë është edhe Edi Rama. Jo vetëm po shtyni afatin, por propozoni që ti jepen investitorëve edhe brigjet e lumenjve liqeneve etj,. Për stacione plazhi, oburra merrini dhe shkatërrojeni këtë vend.

Kush ishin investitorët e huaj që thithën investimet strategjikë? Klientët e pushtetit, familjarë të Xhaçkës, gaztorët e oborrit! Këta ishin investitorët strategjikë? Për këta e bëtë?

I hapët rrugë investimeve në Manastir, Plazhin e Pasqyrave, të Marinës etj., të gjitha zona të mbrojtura para se të vinte si ministre Kumbaro. Por edhe në Vjosë, Nartë, Velipojë, Divjakë, Karavasta dhe Kune.

Keni futur zona të thella malore si të mbrojtura dhe keni hequr ato bregdetare për t’i hapur rrugë investimeve. Si ka mundësi që keni 9 vendime të pakonsultuara me asnjë ekspert? Si ka mundësi nuk ke bërë një ligj në mbrojtje të zonave të mbrojtura dhe jo betonizimit”.