Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni i Milot-Balldre, qeveria hap garën 364.7 mln euro për 17.2 kilometra


Këtë të enjte Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi zyrtarisht garën për koncesionin e rrugës Milot-Balldre.

Kjo nuk është hera e parë që flitet për këtë koncesion por gjatë viteve të fundit skemat dhe shpallet kanë ndryshuar për të arritur tek formula e sotme e dhënies me koncesion për një afat 35 vjeçar.

Referuar dokumenteve projekti do të jetë një investim privat ku supozohet që operatori ekonomik do të sigurojë i vetëm financimin dhe do të bëjë ndërtimin opertimin dhe mirëmbajtjen e rrugës dhe të ardhurat e saj do ti sigurojë nga vendosja e pagesës.

“Objekti i kontratës Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor “Milot-Balldre”.

2.Forma e kontratës Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim 3. Vlera e Totale e parashikuar për Kontratën është 364’732’924 EUR pa TVSH.

Në këtë vlerë përfshihen shuma e Vlerës së Projektimit , Vlerës së Operimit, vlerës së Mirëmbajtjes rutinë dhe kapitale.

– Vlera e parashikuar e Projektit është 3’650’964 EUR pa TVSH (Projektimi) plus 182’548’198 EUR pa TVSH (Ndërtim, rehabilitim) plus 10’122’482 EUR pa TVSH (Sistemi i Pagesës (toll).

-Vlera e parashikuar e Operimit është 84’979’849 EUR pa TVSH (Operimi) – Vlera e parashikuar e Mirëmbajtje Rutinë dhe Kapitale është 83’431’431 EUR pa TVSH” thuhet në dokumentet e tenderit.

Sipas MIE gjurma e propozuar e rrugës “Milot-Balldre” fillon në nyjen e Milotit, ku do të lidhet me segmentet e tjera rrugore Milot-Thumanë-Kashar-Lekaj dhe me Rrugën e Kombit, dhe do të përfundojë në rrugën ekzistuese Tiranë –Shkodër, në Balldre.

Gjatësia e rrugës vlerësohet në 17.2 kilometra ku në përbërje janë edhe një tunel dhe dy ura. Paralelisht duhet të ndërtohen edhe rrugët dytësore të këtij projekti.

Garancia e trafikut

Ashtu si në rastet e mëparshme edhe në këtë rast qeveria do të garantojë të ardhurat e koncesionarit që do të thotë se nëse ato bien për shkak të volumit më të ulët të trafikut sesa skenari bazë atëherë diferenca do të paguhet nga buxheti. Dokumenti nuk ka shumë specifika për këtë por shtojca 4 duket se përfshin këtë përmes emërtimit “pagesa e autoritetit kontraktor gjatë periudhës së garancisë”.

“Tabela e mëposhtme tregon të Ardhurat Bazë (Ab), të cilat kanë kuptimin e të ardhurave të cilat e lejojnë projektin të ketë një rrjedhë paraje pozitive dhe të qëndrueshme. Në rast se për periudhën e parë …..-vjeçare gjatë Periudhës së Operimit dhe të Mirëmbajtjes, (“Periudha e Garancisë”) do të ketë rënie të nivelit të të Ardhurave Bazë, nën vlerat e treguara në kolonën me emërtesën “Të ardhurat bazë”, përkatësisht pasqyruar për çdo vit në tabelën e mëposhtme nga viti …. deri në vitin e …..-të, Autoriteti Kontraktor aplikon garanci trafiku sipas specifikimeve të bëra në kolonën kolonën “Garancia” (G) nëpërmjet Pagesave për Rakordim të Deficitit të të Ardhurave, që Autoriteti Kontraktor mund t’i bëjë Shoqërisë Koncesionare për çdo Vit të Kontratës përgjatë Periudhës së Garancisë” thuhet në krye të shtojcës së draft kontratës ku gjithashtu specifikohet se në vitin e parë do të ketë aspekte procedurale të fillimit të ndërtimit, tre vjet do të jetë periudha e ndërtimit dhe nga viti i 5 deri në atë të -të operimi dhe mirëmbajta.

Më herët rruga Milot-Balldre iu dha me koncesion kompanisë ANK e cila fitoi një bonus 8.5 pikë përmes një oferte të pakërkuar.

Praktika që do të zbatohej në atë kohë ishte ajo e një koncesioni 13 vjeçar sipas parimit me çelësa në dorë ku kompania do të bënte ndërtimin dhe operimin e këtij aksi duke përfituar pagesa nga buxheti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor