Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar ka gjobitur me 4 milionë lekë të reja pronarin e një pike grumbullimi në Berat, nga ku është nisur dërgesa e mandarinave me pesticide që u kapën në kufirin kroat.
Sipas AKU-së, pas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë për mandarinat e khtyera nga eksporti, janë bërë verifikimet dhe ka rezultuar se mandarinat klementine ishin produkt i fshatit Goriçan të Beratit dhe ishin eksportuar nga subjektet grumbulluese ushqimore në fshatin Goriçan, me vendndodhje në Berat dhe Fier.
Dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës. Një nga ngarkesat e asgjësuara nga Pika e Inspektimit Kufitar, ka qenë e prodhuar në fshatin Goriçan në bashkinë Dimal. Ka qënë analizimi laboratorik i kryer në Bari të Italisë, që ka konfirmuar se produkti ka qenë me nivel të lartë pesticidesh.
Lidhur me ngarkesën e eksportuar nga fshati Goriçan, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masat për kundravajtjet administrative në subjektin përkatës që ndodhet në fshatin Goriçan në Dimal, duke gjobitur dhe bllokuar aktivitetin e subjektit për moszbatim të legjislacionit në fuqi.
AKU Berat shton më tej se ka marrë masa të menjëhershme, duke ngritur grupe pune për analizimin, vlerësimin e situatës mbi koordinimin për ndjekjen e veprimeve proceduriale në secilën hallkë të zbatimit të kontrollit zyrtar të rastit.
Sipas AKU Berat, subjekti pikë grumbullimi, me pronar shtetasin Arben Dyli, është gjobitur në vlerën 4 milion lekë, pasi nuk ka njoftuar për tregtimin e agrumeve. Sipas AKU Berat, ky subjekt pikë grumbullimi duhet ta shoqëronte ngarkesën me një fletë analizë nga ky institucion.
AKU pohon se po bëhen analiza në parcelën e fermerit Erjon Tafa, parcela e të cilit është në fshatin Goriçan. Ky fermer disponon 270 rrënjë agrumeve të kulturës mandarinë. Sipas AKU Berat, i gjithë prodhimi i kthyer mbrapsht është groposur nga specialistët e AKU-së.