Pllaka më e vjetër e njohur e mbishkruar me Dhjetë Urdhëresat nga Dhiata e Vjetër u shit të mërkurën për 5.04 milionë dollarë, më shumë se dyfishi i vlerësimit të saj fillestar.
Guri, qëi daton rreth 1500 vjet më parë në epokën e vonë romako-bizantine, shkaktoi më shumë se 10 minuta oferta “intensive”, sipas një deklarate nga Sotheby’s Neë York, e cila organizoi shitjen. Blerësi anonim planifikon t’ia dhurojë artifaktin një institucioni izraelit, shtoi ai.
Guri është një objekt i jashtëzakonshëm nga bota e lashtë – por ai qëndronte i harruar për qindra vjet.
Me peshë 52 kilogramë dhe me lartësi dy metra, guri u zbulua në vitin 1913 gjatë gërmimeve për një linjë të re hekurudhore në pjesën jugore të atij që është sot Izraeli.
Guri i lashtë u ekspozua në ekspozitën e Sotheby’s në Nju Jork përpara se të dilte në shitje.
Ai u gjet afër vendeve të sinagogave, xhamive dhe kishave të hershme dhe ishte e shkruar me 10 ligjet biblike në shkrimin paleo-hebraik. Megjithatë, rëndësia e gjetjes nuk u vlerësua plotësisht dhe guri vijoi të përdoret si shtrojë jashtë shtëpisë së dikujt për tre dekada. Mbishkrimi ishte vendosur me fytyrë lart dhe guri ishte i ekspozuar ndaj kalimit të rënduar të këmbësorëve.
Për fat të mirë, rëndësia historike e pllakës u njoh dhe u ruajt përfundimisht.
Sipas Sotheby’s, guri iu shit një studiuesi në vitin 1943. Ky individ i paidentifikuar “e njohu atë si një dekalog të rëndësishëm samaritan që përmban parimet hyjnore qendrore për shumë besime, një që mund të jetë shfaqur fillimisht në një sinagogë ose në një banesë private”, thuhet në deklaratë.
Samaritanizmi është një fe e lashtë, monoteiste e bazuar në pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër. Megjithëse i lidhur me judaizmin, samaritanizmi ka malin Gerizim – në Bregun Perëndimor të sotëm – si vendbanimin e Jehovait, në vend të malit Sion.