Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se qeveria i ka dhënë para Postës Shqiptare për të mundësuar votën e shqiptarëve të diasporës.
Shuma e vënë në dispozicion është rreth 5 milionë euro, shkruan Shqiptarja, ndërsa shqiptarët e diasporës nuk do kenë asnjë kosto për të votuar.
Kreu i KQZ-së Celibashi tha se vota e diasporës nuk do jetë aspak e lehtë për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion.
“Që prej fundit të vitit 2020, kemi punuar për të mundësuar votimin e diasporës. Procesi i përgatitjes për votën më 11 maj 2025 do ndodhë, përtej spekulimeve të gjithkujt. Rezultati i votës së diasporës do të jetë pjesë e përgjithshme e rezultatit të votës së shqiptarëve. KQZ ka miratuar thuajse tërësisht aktet nënligjore për këtë proces dhe po ndërtojmë platformën elektronike për regjistrimin e votuesve nga jashtë. Përgatitja për herë të parë të votës nga jashtë për gjashtë muaj është një sfidë. Procesi është një sfidë për KQZ dhe për aktorë të tjerë që duhet të angazhohen në këtë proces për lehtësimin e procedurave teknike për regjistrimin dhe votimin e diasporës. Shteti shqiptar nuk do paguajë vetëm për dërgimin e fletëve të votimit, por edhe për kostot e shërbimit postar, përfshirë kthimin e fletëve të votimit, dhe ky vendim është pozitiv në kuadër të nxitjes së mundësimit real të votës së diasporës”, u shpreh ai.