Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku nga Kuvendi: Fitorja e tretë e Profesionistëve të Lirë ndaj pandershmërisë së qeverisë


Në Kuvendin e Shqipërisë u diskutua Akti Normativ për rikthimin e parave të marra për Profesionet e Lira. Deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cila qe deputetja që u angazhua në betejën në Gjykatë Kushtetuese për të rrëzuar këtë propozim ligjor.

Tabaku deklaroi si kjo ditë simbolizon triumfin e ndershmërisë dhe drejtësisë, Kuvendi miratoi Aktin Normativ që rikthen paratë e marra padrejtësisht nga mbi 6,000 profesionistë të lirë. Sipas deputetes së PD kjo konsiderohet si fitorja e tretë e shtresës së mesme dhe profesionistëve të ndershëm kundër një sistemi të pandershëm fiskal të qeverisë socialiste.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nga Kuvendi, e quajti këtë akt si një moment të rëndësishëm për të gjithë ata që për muaj të tërë u përballën me arrogancën dhe pandershmërinë e mazhorancës. Ajo theksoi se kjo nuk është vetëm një çështje financiare, por një luftë për të rikthyer besimin dhe të drejtën për një sistem të ndershëm.

“Kjo është fitorja e tretë për profesionistët e lirë! Një fitore për shtresën e mesme dhe për të gjithë ata që nuk pranuan të përkulen përballë arrogancës së qeverisë. Ky akt është një rikthim i hakës tek i zoti, një dëshmi se e drejta mund të triumfojë, edhe kur përballë ka një sistem që ka ndërtuar pandershmërinë si parim qeverisjeje.” – deklaroi Tabaku.

Ajo kritikoi ashpër mazhorancën socialiste për arrogancën dhe metodat kërcënuese ndaj profesionistëve të lirë, që përfshinë emaile dhe presione të hapura për të detyruar individët të pranonin një taksë të cilësuar tashmë si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Për Tabakun, sjellja e qeverisë reflektonte jo vetëm një filozofi të pandershme fiskale, por edhe një përpjekje për të normalizuar abuzimin institucional.

“Ky sistem i padrejtë ka rënduar për 11 vite mbi shpatullat e punëtorëve, pedagogëve, inxhinierëve dhe arkitektëve – ata që janë shtylla kurrizore e ekonomisë sonë. Ndërkohë, i njëjti sistem ka mbajtur me privilegje monopolet dhe oligopolet që e trajtojnë buxhetin publik si arkë personale kursimi.” – vijoi Tabaku.

Deputetja vlerësoi se rikthimi i këtyre parave është një moment drejtësie për profesionistët e lirë dhe shtresën e mesme, por shtoi se qeveria duhet të kërkojë falje për dëmin e shkaktuar. Ajo nënvizoi se kjo fitore është një shembull për të gjithë ata që luftojnë për të drejtën e tyre.

“Sot votojmë për respektin ndaj njerëzve të punës, ndaj profesionistëve që e mbajnë këtë vend gjallë! Kjo është një fitore e drejtësisë, një fitore e ekonomisë sonë dhe e shtresës së mesme!,” përfundoi Tabaku.

Kjo është një fitore e rëndësishme për Shqipërinë, që demonstron se zëri i qytetarëve të ndershëm mund të triumfojë ndaj pandershmërisë së sistemit.