Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi s’ia kursen Ramës: Këshillat e tua publike për Kurtin, thikë pas shpine


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Bardhi kritikoi kryeministrin Rama në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me atë të Shqipërisë në Prishtinë.

Ai tha se ndryshe nga sa vepron Rama, duke e kritikuar Albin Kurtin haptazi e faqe botës, gjërat e shtëpitë nuk dalin në pazar.

Gjatë fjalës së tij ai kërkoi më shumë veprim e bashkëpunim praktik mes dy vendeve dhe jo thjesht takime me vezullime e deklarata boshe.

Bardhi theksoi se Shqipëria jo vetëm duhet të fuqizojë zërin e Kosovës në botë por duhet të luftojë për të shtuar njohjet e për ta ndihmuar atë në integrimin në institucionet ndërkombëtare.

“Kam një mesazh për kryeministrin që e lanë nervat dhe braktisi sallën. Ne shqiptarët kemi një traditë, vëllait nuk ia themi kurrë këshillën në publik në lagje. Ia themi në shtëpi me zë të ulët që të mos na dëgjojnë të tjerët. Një këshillë si kjo ke thënë në publik e lëndon vëllain dhe është një thikë pas shpine për vëllain tonë, Kosovën tonë të dashur. Kosova e Shqipëria duhet të jenë një vizon ku ekonomitë tona lulëzojnë së bashku, ku të rinjtë gjejnë mundësinë brenda atdheut, këtej e andej kufirit formal e jo duke emigruar. Të shtrojmë rrugën në shëndetësi, arsim. Kohë e fundit politikat nuk e kanë pasqyruar atë që duhet të ishte. Në emër të PD-së qëndrojmë fuqimisht kundër masave dhe sanksioneve të Kosovës. Ato penalizojnë Kosovën për kërkesat e saj legjitime për të qenë shtet i pavarur në tryezën e bisedimeve. Asnjë paqe e qëndrueshme në botë nuk mund të ndërtohet mbi bazat e shtrëngimit dhe presionit. Është detyra e Shqipërisë të fuqizojë zërin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.” – tha Bardhi.