Për herë të parë, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë kanë zhvilluar një takim të përbashkët në parlamentin e Prishtinës.
Ajo që ra në sy në listën e 56 deputetëve nga parlaenti i Shqipërisë që shkuan në këtë takim ishte mungesa e kreut të PD-së Sali Berisha dhe ish-kreut të saj Lulzim Bashës. Kyeministri Rama shoqërohej në këtë takim nga ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj.
Fjalën i pari e mori kreu i Kuvendit të Kosovës Konjufca, i cili falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndërsa u ndal te raportet e Prishtinës me Beogradin duke e akuzuar këtë të fundit për përpjekjet për destabilizimin e Kosovës.
“Kosova po e mbyll edhe këtë vit e sulmuar drejtpërdrejtë nga elementë që lidhen me Serbinë dhe që po synojnë destablizimin e brendshëm të Kosovës me metoda terroriste dhe të luftës hibride. Sulmi në Ibër Lepenc nuk mund të konsiderohet ndryshe përveçse si sulm terrorist nga ata që refuzojnë të pranojnë Kosovën si një realitet sovran dhe rend ligjor e demokratik. Mos harrojmë që ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës tonë kritike të furnizimit me ujë dhe energji vjen 1 vit pas sulmit tjetër të rëndë në Banjskë. Organizator i këtij sulmi është Radoiçiçi i mbështetur drejtpërdrejtë nga Vuçiç dhe mbetet ende i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi e cila pothuajse nuk ekziston fare.” – tha Konjufca.
Ai theksoi se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë.
Pas Konjufcës fjalën e mori presidetja e Kosovës Osmani dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Spiropali.
Osmani tha se Kosova e Shqipëria duhet të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha drejtimet ndërsa vlerësoi se ndihma e Shqipërisë për integrimin e Kosovës është themelore.
“Po jetojmë në një kohë të trazuar që kërkon bashkëpunim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjesht një zgjedhje, por domosdoshmëri. Historia nuk do na gjykojë me dashamirësi nëse nuk do e shfrytëzojmë këtë moment për të krijuar harmoninë. Secili prej nesh duhet ta luajë rolin në avancimin e vizonit të shteteve dhe qytetarëve brenda familjes europiane. Lidhja e thellë mes Kosovës e Shqipërisë është rrënjosur në histori. Dy Kuvendet kanë rol vendimtar në forcimin e lidhjes tonë. Përmes punës, shtetet tona mund të sigurojnë vendin e merituar në BE. Kosova mbetet me përkushtim e palëkundur për integrimin në BE. Vlerat në të cilat është ndërtuar BE qëndrojnë edhe në vetë themelet e kombit tonë. Pengesat me të cilat përballet Kosova janë tejet të madha, padrejtësitë sa vinë e rriten. Për t’i kaluar na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. BE do të jetë më e sigurt me shtet tona.”
Spiropali theksoi përkushtimin e Tiranës për të ndihmuar Prishtinën ndërsa bëri thirrje për plane e strategji për sa i përket rrugëtimit drejt ntegrimit në BE.
“Të bashkërendojmë plane e strategji të mirëkuptuara në rrugëtimin e pandalshëm drejt Evropës. Realizimi i objektivit tonë strategjik, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, integrimi euro-atlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, rritja e rolit dhe peshës së faktorit shqiptar në rajon si një mekanizëm i pazëvendësueshëm stabiliteti, për paqen dhe sigurinë, janë detyrat tona të shenjta, janë themeli i të ardhmes tone. Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Shqipëria është prioritet kombëtar i Kosovës. Samiti Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor rikonfirmoi mbështetjen për politikën e zgjerimit drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vijojë të mbështesë pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Ne besojmë se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe pranimi i saj.” – theksoi Spiropali.
Kryeministri Rama nga njëra anë bëri thirje për heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës ndërsa këshilloi kryeministri Kurti që të bëjë kujdes në marrëdhëniet e tij më SHBA-në e Brukselin.
“Dëshira ime e zjarrtë është të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE e tjetri në listën e sanksioneve të BE-së të cilat sot janë një absurditet absolut. Së bashku me presidenten në samitin e BE-së dy ditë më parë këmbëngulën me forcë që ato masa të hiqen dhe siguruam që të gjitha fondet e BE-së që janë penguar të lëvrohen për shkak të atyre masave të mos digjen. Por ne duhet të jemi dorë për dore, paqedashës e paqeruajtës për të bindur dora dorë edhe spektikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre ndaj njohjes së Kosovës si shtet sovran. Në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut europian të normalizimit duhet ti bjerë e gjitha vetëm Serbisë por kurrsesi nuk duhet të lejojmë qoftë dhe një gram ti bjerë Kosovës. Duam që Kosova të njihet një orë e më parë nga gjithë ato vende europiane që ngurrojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm të Kosovës, përfshi dhe Serbia që e ka mundur me luftë e nuk ka asnjë arsye ta lidhë fatin europian të saj.” – tha Rama.
Më tej ai ceku edhe procesin në Gjykatën e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së duke e quajtur atë një proces të parregullt ligjor.
Ai i propozoi Kuvendit të Kosovës hartimin e një resolute që do u kërkonte vendeve që sponsorizojnë Gjykatën Speciale ngritjen e një komisioni që do verifikonte standardet e gjykimit.
Rama vërejti se zemërimi i SHBA-së dhe BE-së me Kosovën, e pegon këtë të fundit nga përparimi në rrugëtimin e integrimit si dhe Shqipërinë që të bëjë gjithçka do donte për ta mbështetur. Ai tha se Kosova duhet të ngrijë bisedimet dypalëshe me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënie me të duhet ta synojë përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja.
“Në këtë fazë kaq vendimtare Kosova duhet të ngrij dialogun bilateral me Serbinë, e normalizimin e marrëdhieneve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me BE, duke këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me BE-në. Kosova të përmbushë unilateralisht të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë jo për hir të Serbisë por për hir të martirëve e fëmijëve të vet e për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve europiane me kryeqytet Brukselin.” – tha Rama.
Kryeministri i Kosovës Kurti që e mori fjalën pas Ramës, i kërkoi Shqipërisë që të mbështesë vendin në integrimin në BE e NATO.
Gjatë fjalës ai ceku luftën në Ukrainë, gjendjen e tensionuar në Lindjen e Mesme si dhe sulmet terroriste ndaj Kosovës, për të cilat akuzoi Serbinë.
“Sulmet terroriste ndaj Kosovës ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin e ujësjellësit në Ibër-Lepenc që vijnë nga e njëjta adresë, nga Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia edhe Rusia bashkë, e kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin në NATO. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt nën kontroll, tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet e tyre terroriste janë dëshpërimi i tyre, janë fundi i sundimit të tyre. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti etnik më i diskriminuar në Evropë. Prandaj ata meritojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë e Republikës së Kosovës. Shqiptarët nuk kanë faj që janë autokton. Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si qeveri 4 milion për Luginën, uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, tha Kurti.
Pikante
Haradinaj akuza Kurtit se ndjek axhendë ruso-serbe
“Kryeministri ka shkuar deri aty sa ka e ka quajtur sekretarin Blinken naiv, prandaj jemi aty ku jemi. Vargu i dështimeve është i gjatë, vështirë e kemi të gjejmë një veprim të hajrit, çdo veprim i Kurtit është në përputhje të plotë me axhendën e Rusisë e Serbisë. Për të qenë i hapur me ju, Rama e Spiropali, marrëdhëniet me Shqipërinë në këto 4 vjet gati sa nuk e kanë prekur fundin dhe të gjithë në sallë e dinë shkakun. Të mira janë mbledhjet tona vëllazërore, edhe pse jo të hijshme në prag të zgjedhjeve. Me Shqipërinë është ndryshe, se vëllau te vëllau shkon e vjen kurdo. Çdo herë është ndjenjë e mirë të jemi bashkë. Shqipëria ka bërë kujdes se nuk është përzier në fushatat tona të brendshme zgjedhore, kërkoj ndihmën e Shqipërisë për anëtarësimin, jo përmes partneritetit me paqe, por përmes planit aksional të anëtarësimit.”
Bardhi kritika Ramës: Vëllai këshillohet fshehurazi, jo publikisht
“Kam një mesazh për kryeministrin që e lanë nervat dhe braktisi sallën. Ne shqiptarët kemi një traditë, vëllait nuk ia themi kurrë këshillën në publik në lagje. Ia themi në shtëpi me zë të ulët që të mos na dëgjojnë të tjerët. Një këshillë si kjo ke thënë në publik e lëndon vëllain dhe është një thikë pas shpine për vëllain tonë, Kosovën tonë të dashur. Kosova e Shqipëria duhet të jenë një vizon ku ekonomitë tona lulëzojnë së bashku, ku të rinjtë gjejnë mundësinë brenda atdheut, këtej e andej kufirit formal e jo duke emigruar. Të shtrojmë rrugën në shëndetësi, arsim. Kohë e fundit politikat nuk e kanë pasqyruar atë që duhet të ishte. Në emër të PD-së qëndrojmë fuqimisht kundër masave dhe sanksioneve të Kosovës. Ato penalizojnë Kosovën për kërkesat e saj legjitime për të qenë shtet i pavarur në tryezën e bisedimeve. Asnjë paqe e qëndrueshme në botë nuk mund të ndërtohet mbi bazat e shtrëngimit dhe presionit. Është detyra e Shqipërisë të fuqizojë zërin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.”
Mediu: Miqësia e Serbisë me Shqipërinë sjell pasoja për Kosovën
“Të gjithë ne duhet të mbrojmë historinë e Kosovës. Duhet të punojmë bashkë jo për pushtet, por për shtet. Serbia ka bërë zgjedhjen e saj, me Rusinë e Kinën. Serbia vazhdon me idetë e Serbisë së Madhe, deklaron se Europa e NATO janë hipokrit, thonë se Serbia nuk do e njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia sheh shpresë nga Moska. Beogradi një mik për Tiranën sjell pasoja për Kosovën. Serbia po përpiqet të destabilizojë Kosovën. Të vendosemi në mbështetje të kauzës kombëtare. Përulem ndaj atyre që padrejtësisht ndodhen në Hagë dhe të gjithë në duhet të mbrojmë historinë dhe luftën e Kosovës. Mirënjohje të përjetshme SHBA-së, NATO-s, Presidentin Clinton që udhëhoqi NATO-n kundër gjenocidit serb, Presidentin Bush që në vitin 2007 shpalli mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe futjen e Shqipërisë në NATO. Një reflektim dhe për vetën tonë, ne jemi zgjedhur që t’i shërbejë shqiptarëve dhe interesit Kombëtar duke i parë ata përballë.”
Rama i çon letër Kurtit gjatë seancës, takohen kokë më kokë pas seancës
Kryeministri i Kosovës Kurti dhe ai i Shqipërisë Rama janë takuar kokë më kokë për disa minuta pas përfundimit të takimit të përbashkët mes Kuvendeve të dy vendeve. Nuk dihet se çfarë biseduan më kokë dy krerët e qeverive të cilët shtrënguan duart për foton e rastit para mediave.
Më herët, teksa në sallën e parlamentit të Kosovës po vijonin fjalimet, kryeministri Rama i dërgoi një letër të mbyllur homologut të tij Kurti. Gjatë takimit Kurti-Rama është nënshkruar marrëveshja për Lojërat Mesdhetare 2030, ku në Durrës do zhvillohen garat e disiplinave ujore.